E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesja që sfidoi talebanët

Mësuesja Abida sfidoi regjimin e tmerrit të talebanëve në Afganistan, duke arsimuar fshehurazi fëmijët në bodrumin e shtëpisë së saj. Sot fëmijët kanë mundësi të shkojnë në shkollë dhe femrat të punojnë, por tërheqja e forcave të NATO-s mund të rrezikojë këtë trend.

Dhoma, në të cilën mësuesja Abida dhe mësim fshehurazi, ekziston ende. Shkallet shpijnë në dhomën e errët në bodrum. Në këtë dhomë, kjo mësuese afgane për katër vjet me radhë i ka dhënë mësim më shumë se 240 fëmijëve, duke injoruar kështu urdhrin e talebanëve, me të cilin ndalohej ndjekja e shkollës nga ana e vajzave dhe punësimi i femrave.

“Kam besuar fuqishëm se talebanët nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në pushtet”, thotë Abida. Kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga ajo kohë, por mësuesja 40 vjeçare ka ende në kujtesë atë periudhë të vështirë.

Ajo sa po kishte filluar punën si mësuese. Por në vitin 1996 talebanët radikalë u ngritën në pushtet dhe dhanë urdhër që femrat dhe vajzat duhet të qëndrojnë të ngujuara në shtëpi. Ata e bënë të obliguar perçen. Abida vendosi të mbrohet dhe të rezistojë.

“Po, kisha frikë, por e binda vetëm se po bëja diçka të mirë. Vendosa ta bëja këtë, duke marrë përsipër rrezikun që mund të kapesha dhe të dënohesha nga talebanët”, rrëfen ajo.

Katër herë në ditë vinin fëmijët, para se gjithash vajza dhe djelmosha, në shtëpinë e saj të vogël, në një lagje të varfër në Kabul.

“Ju thamë se librat e tyre shkollore duhet t’i përgatisin në atë mënyrë, që t’i ngjasojnë Kuranit. Talebanët duhej të besonin se fëmijët po shkonin në mësim fetar”, thotë Abida.

Sot Abida nuk ka nevojë të ketë frikë kur jep mësim. Afganistani ka shumë gjatë dhjetë viteve të kaluara. Janë hapur spitale, Universitete, ndërmarrje, kanale televizive dhe të radios. Kabuli tani madje ka një qendër të re tregtare dhe një aeroport të ri.

Afganistani tani ka edhe një ministri për Çështje të Femrave dhe një kuotë të përcaktuar me ligj të femrave në parlament. Ekziston një numër i madh i shkollave dhe Universiteteve private, të cilat janë të hapura për femrat dhe vajzat. Më shumë se shtatë milionë fëmijë janë të regjistruar nëpër shkollat anembanë vendit. Menjëherë në periudhën pas përmbysjes së talebanëve nga pushteti, numri i fëmijëve të regjistruar në shkolla ishte më i ulët se një milionë.

Që nga viti 2003, qeveria e Afganistanit ka shtypur më shumë se 97 milionë tekste shkollore dhe i ka shpërndarë ato. Numri i mësuesve dhe arsimtarëve është ngritur nga 20, në 164 mijë, me ç’rast 30 për qind të mësimdhënësve janë femra. Por përkundër gjithë përparimit të arritur, Afganistani ende konsiderohet si një prej shteteve më të rrezikshme për femrat në botë.

Dhuna, keqtrajtimet dhe martesat e detyrueshme janë ende përditshmëri. Më shumë se 80 për qind e femrave afgane nuk dinë as shkrim, e as lexim.

“Ende mbetet shumë për të bërë. Injorimi sistematik i femrave nuk është zhdukur me largimin e talebanëve”, thotë Abida.

“Shumë banorë të Afganistanit nuk kanë fare njohuri për të drejtat e femrave. Në veçanti jo në rajonet rurale dhe konservatore, ku jeton pjesa më e madhe e popullatës në Afganistan”, shton ajo. Megjithatë, edhe në Kabul mungon vetëdija se edhe femrat kanë të drejta dhe se nuk duhet të trajtohen si skllave.

Edhe përkundër të gjitha vështirësive, angazhimi i Abidas mbetet i fuqishëm. Megjithatë, kur bëhet fjalë për ardhmërinë e Afganistanit, ajo bëhet tejet serioze. Vendi përballet ende me probleme të mëdha ekonomike, thotë ajo. Dhe çfarë do të ndodhë, pas tërheqjes së forcave të NATO-s nga Afganistani në vitin 2014, ajo nuk di se çfarë të thotë.

“Ndoshta talebanët do të kthehen, nëse situata përkeqësohet. Njerëzit në këtë rast do të kishin prapë frikë që të dërgojnë vajzat e tyre në shkollë”, parashikon ajo.

Në disa rajone të Afganistanit ky skenar tashmë është realitet. Dhe nëse vazhdon kështu, Abida sërish do të jetë e detyruar që të jap fshehurazi mësim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›