E Diel, 1 Nëntor 2026

O sa turp me fol si Paskal Milo, o hej!

17-05-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Atë që Edi Rama e bënte në mënyra të tjera dhe nëpërmjet njerëzve të tij që i dërgonte në Bruksel për mosliberalizimin e vizave nga ana e BE-së dhe për mosdhënien e statusit të vendit kandidat, Paskal Milo e tha me zë të lartë: SHBA, mos hiq vizat për Shqipërinë! Kështu, nëpërmjet Paskal Milos, e majta shqiptare, ditën me diell, tregoi se në axhendën e saj nuk ka asgjë tjetër përveç bllokimit të interesave kombëtare të shqiptarëve për llogari të ëndrrës së tyre për pushtet. E majta shqiptare, nëpërmjet Paskal Milos, edhe një herë dëshmoi se përballë ëndrrës së saj për pushtet janë të pavlera të gjitha proceset e hapjes ndaj botës, të gjitha proceset integruese, të gjitha proceset e përmirësimit të pozitës gjeopolitike, gjeostrategjike e diplomatike të shtetit shqiptar, e që do të thotë edhe përmirësim i pozitës së shqiptarëve dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Në këtë kuptim, mund të thuhet se derisa regjimi enverist bënte gjithçka që shtetin ta izolonte nga bota, e majta shqiptare, trashëgimtare e atij regjimi i përgjërohet botës që ajo ta izolojë shtetin shqiptar. Prandaj, mund të thuhet se e majta shqiptare vetëm sa ka kontekstualizuar mendësinë enveriste për izolimin e shtetit dhe të kombit shqiptar. Është kështu për faktin se strategjia e vazhdueshme bllokuese, realizimi i vazhdueshëm i marshutave diplomatike nëpër qendrat e vendosjes evropiane dhe më gjerë nga ana e të dërguarve të së majtës shqiptare, është po aq kundërkombëtare dhe po aq e rëndë për pozitën ndërkombëtare të shtetit dhe kombit, sa ishte edhe në kohën e regjimit enverist, bile edhe më e rëndë. Nuk ka rëndësi fakti që sot është Berisha armiku i së majtës, kurse dje kanë qenë ballistët, legalistët, nacionaldemokratët në përgjithësi, sepse si këta të fundit dje, ashtu sot Berisha trajtohet si armik i brendshëm. Kurse pikëpamja se Paskal Milo përgjërimin bërë amerikanëve për të mos ia hequr vizat shtetit shqiptar e ka pasur për shkak të kontekstit zgjedhor që mund të ketë, atëherë del se tërë strategjia bllokuese e së majtës gjatë këtyre 8 viteve paska qenë strategji zgjedhore, apo thënë ndryshe, e majta gjatë 8 viteve paska qenë në fushatë zgjedhore. Nëse është kështu, atëherë po del se kryeministri Berisha paska pasur të drejtë kur deklaronte se opozita, duke e bllokuar statusin e vendit kandidat, ka menduar se po e dëmton qeverinë e tij, por në fakt ka dëmtuar qytetarët shqiptarë. Bllokimi i çfarëdo interesi kombëtar dhe qytetar nga ana e së majtës shqiptare, në fakt, e bën këtë të fundit përgjegjëse para kombit dhe para qytetarëve shqiptarë, dhe së këndejmi edhe të neveritshme përballë tyre. Dhe kjo vlen sidomos për qytetarët me bindje të majta, të cilët janë cenuar dhe po cenohen aq shumë në interesat e tyre, sa edhe qytetarët e tjerë të shtetit dhe të hapësirave të tjera shqiptare në rajon dhe më gjerë. Në këtë kuptim, të gjithë duhet ta kenë të qartë, dhe këtë duhet ta kenë të qartë sidomos ata që bëjnë kinse analistin dhe që përfundojnë në rrjetën e Edi Ramës, dhe duhet ta thonë hapur, nëse kanë pasur ndonjë herë integritet moral, profesional dhe qytetar, dhe të mos i mashtrojnë njerëzit me lloj-lloj tregimi fantastiko-imagjinar me armiq dhe kuçedra që duhet të eliminohen. Kjo vlen edhe për politikanë të së majtës që po dalin si të pavarur, siç është edhe Arben Malaj, i cili, në ditën kur Paskal Milo pa fije diplomacie i bënte thirrje SHBA-ve të mos heqë vizat për Shqipërinë, u bënte thirrje qytetarëve që ta shpërndajnë votën dhe të votojnë edhe Milon, edhe Gjinushin edhe gjithë reliket e regjimit eneverist. Nëse Arben Malaj nuk distancohet nga përgjërime të tilla, atëherë vetëm sa demaskohet si kandidat i pavarur, dhe e paraqet veten si pjesë të një strategjie të opozitës që të bëjë të pavarurin për të marrë votat e atyre zgjedhësve që janë të zhgënjyer nga Edi Rama dhe që eventualisht mund të votojnë drejt qendrës.
Përkundër këtyre që i thashë deri tash, duhet thënë se përgjërimi i Paskal Milos bërë amerikanëve për të mos hequr vizat për Shqipërinë, më tepër se me kontekstin zgjedhor, ka të bëjë me gjendjen në të cilën gjendet vetë ai, pasi që vetëm një ditë më parë se të bënte këtë përgjërim, ai kishte deklaruar publikisht se për të telefoni i Edi Ramës na qenkësh i mbyllur. Si i frustruar nga tradhtia e radhës, siç e quajti vetë, injorimin nga ana e Edi Ramës, ai mund të ketë humbur sensin e diplomatit dhe të ketë shpërthyer si një balon. Kurse në planin e së majtës shqiptare në përgjithësi, premtimi i kryeministrit Berisha për heqje vizash edhe me SHBA-të, mund ta ketë zënë të papërgatitur Byronë Politike të opozitës shqiptare, sepse mund të kenë menduar se Berisha tërë strategjinë e tij do ta mbështesë vetëm te bllokimi i tre ligjeve nga ana e saj. Kjo e fundit mund të jetë më e saktë, pasi që opozita e majtë në përgjithësi, dhe vetë Paskal Milo në veçanti, e dinë se heqja e vizave me një shtet tjetër, sidomos me SHBA-të është një proces i tërë, e jo një akt i thjeshtë juridiko-diplomatik, dhe si i tillë do kohë të realizohet. E majta shqiptare, nuk është se nuk e ka ditur se kur Berisha premtoi heqjen e vizave me SHBA-të, nuk ka menduar që kjo mund të ndodhë brenda kohës së fushatës zgjedhore, e as që ka pritur se SHBA-të do të deklarohen që tash pro heqjes së vizave, por e ka pasur për periudhën katërvjeçare, aq sa zgjat një mandat qeverisës. Në këtë kuptim, edhe Paskal Milo, edhe e majta në përgjithësi e kanë ditur se çështja e heqjes së vizave me SHBA-të nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve në kuptimin se mund të realizohet në momentin aktual. Shqetësimi i së majtës vjen nga fakti se çështja e heqjes së vizave me SHBA-të është një çështje që varet nga qeveria, e jo nga pakicat bllokuese, siç varet statusi i vendit kandidat për në BE. Dhe e majta e di se ashtu siç nuk mundi ta bllokonte liberalizimin e vizave me BE-në, nuk mund të bllokojë as heqjen e vizave me SHBA-të, në momentin kur qeveria amerikane do ta vlerësojë se shteti shqiptar e meriton heqjen e vizave. Në këtë kuptim, premtimi i Berishës për heqjen e vizave me SHBA-të mund të ndikojë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve vetëm si një premtim që zgjedhësit e besojnë se do të mbahet, ashtu siç u mbajt edhe premtimi për liberalizimin e vizave me BE-në. Në këtë kontekst po, ky premtim ndikon pozitivisht që zgjedhësit shqiptarë të votojnë pro një koalicioni qeverisës që do t’u mundësojë që të mos presin para sporteleve të ambasadës amerikane në Tiranë, por të hipin në aeroplan vetëm me biletën e prerë më parë.
Në anën tjetër, përgjërimi i Paskal Milos, i kuptuar si përgjërim që SHBA-të të premtojnë paraprakisht të premtojnë se gjatë tërë katër viteve të ardhshme nuk do të heqin vizat për Shqipërinë, veçse e bën më të turpshëm përgjërimin  e tij, sepse del se ai përgjërohet që shqiptarët edhe për katër vite të tjera të mos ëndërrojnë heqje apo lehtësim vizash për në SHBA. Në një rast të tillë, dhe në të gjitha rastet që mund të ketë përgjërimi i tij për të mos hequr vizat me Shqipërinë, na shtyn të thërrasim me sa zë: O sa turp me fol si Paskal Milo, o hej!, sepse nuk ka më turp që një ish-kryediplomat i shtetit shqiptar të përgjërohet për të mbajtur të izoluar qytetarët e shtetit të tij, dhe për ta turpëruar tërë kombin shqiptar.
Por falë Zotit, që procesi i heqjes së vizave me SHBA-të nuk është proces që varet nga pakica bllokuese e opozitës shqiptare, por nga angazhimet reformatore të qeverisë shqiptare, dhe qytetarët mund të presin me bindje se gjatë katër viteve të ardhshme mund të bëhet realitet udhëtimi për në shtetet apo qytetet amerikane vetëm me pasaportën dhe biletën e udhëtimit, si qytetarë dinjitozë të një shteti dhe të një kombi dinjitozë...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›