E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, Berisha: Alternativa e Ramës akuza, shpifje dhe bllokim

17-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha është ndalur sot në qarkun e Korçës ku ka inaguruar impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë premtoi se do të bëhet gjithçka për zhvillimin, investimet infrastrukturore, lehtësimin e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës.
“Ne do bëjmë gjithça për krijimin e vendeve të punës. Ne hoqëm taksat për çdo lloj makinerie për biznesin. Ne vendosëm për rimburësimin e plotë e të gjitha taksave, të trefishimit të granteve për fermerët. Ne synojmë krijimin e vendeve të punës. Kjo është alternativa jonë e cila ka shumë djersë, mundime dhe sakrifica por një gjë është e sigurtë ajo ka sukses. Kur ne inaguruam impiantin e parë askush nuk e besonte se ne do të ndërtonim 14 të tilla në mbarë vendin por ja që u bë realitet. Ne i mbajmë premtimet tona. Mund të ndodhë ndonjë shtytje në kohë por ju garantoj ju se ne kurrë nuk i lëmë pa realizuar ato”- tha Berisha.
Ndërsa ka ftuar shqiptarët të votojnë Partinë Demokratike, kryeministri Berisha nuk la pa sulmuar edhe opozitën e cila sipas tij bllokoi marrjen e statusit.
Sipas tij, programi i Partisë Demokratike është në mbështetje të mirëqënies ekonomike në ndryshim nga alternativa tjetër e cila sipas tij votoi kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve.
“Duke ju ftuar ju të zhvillojmë së bashku fushatën më dinjitoze për ju, vlerat tuaja, vlerat e shqiptarëve, ju bëj thirrje që në 23 qershor të mendoni cila është alternativa e PD-së dhe koalicionit të saj dhe hidhni sytë në alternativën tjetër. Ajo është, akuza akuza, shpifje shpifje, bllokime dhe bllokime. Ata nuk votuan 3 ligjet për tu bllokuar shqiptarëve statusin, ata nuk kanë votuar për marrjen e vizave, bënë gjithçka për të bllokuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, por ne e firmosëm atë. Ata nuk votuan për ndërtimin e unazës së Korçës, ndërtimin e këtij impianti, ndërtimin e landfillit së shpejti, por në i ndërtuam dhe do t’i ndërtojmë ato. Ata nuk pendohen me bllokimet e tyre sepse nuk kanë interesat tuaja. Programi ynë është i qartë, bëjmë gjithçka për një mirëqenie më të mirë. Kemi rritur rrogat, pensionet. Në të gjitha rastet është unike në Europë dhe bote se opozita voton kundër rritjes se rrogave dhe pensioneve. Në çdo vend të botës, opozita bën betejën më të madhe që të rrisë edhe më shumë përqindjen e rritjes se rrogave dhe pensioneve”- deklaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë premtoi se së shpejti do të nisin punimet edhe për ndërtimin e landfillit në Korçë pasi sipas tij janë garantuar të gjitha fondet.
Kryeministri takim me sipërmarrësit në Korçë: Kualifikimin të punonjësve dhe ulje të taksave/Kryeministri Berisha ka premtuar sot uljen e mëtejshme të taksave si dhe kushte më të mira infrastrukturore për sipërmarrësit. Në një bashkëbisedim me sipërmarrës dhe punonjës në Korçë, kryeministri theksoi se qeveria do të përqëndrohet në kualifikimin e punonjësve për të bërë të mundur edhe rritjen e biznesit. “Në katër vitet që vijmë ne do të bëjmë një kuadër të ri ligjor për krahun e punës.  Do bëjmë gjithçka të krijojmë kushte infrastrukturë sipërmarrësve. Do marrim shpenzimet e të një punëtori në periudhën e trajnimit dhe kualifikimit sikundër zyrat e punës do të marrin funksione të reja për punësimin. Do të vendosim modelin gjerman. Ai është vërtetuar si modeli më i suksesshëm. Në këtë model parimi bazë është cdo punë është më e mirë se ndihma e shtetit. Ne nuk e kemi zhvilluar shumë partneritetin publik privat. Partneriteti publik privat ka një aspekt themelor, që është garanci absolute e privatit, e cila është një levë Arkimedi për zhvillimin e ekonomisë”- shtoi Berisha.
Sipas kryeministrit, filozofia e qeverisë është ulja e mëtejshme e taksave. “Ne edhe në kulmin e një krize evropiane, nuk besojmë se zgjidhja është rritja e taksave. Ne besojmë se rritja e taksave dhe taksat e larta në vlerësimin tonë kanë qenë një nga shkaqet më madhore të krizës. Ndaj dhe ne absolutisht kemi marrë dhe do ndërmarrim çdo hap për uljen e mëtejshme të taksave. Ne hoqëm taksën për çdo lloj kapitali, për çdo lloj biznesi. Kjo është rikthim i madh për një praktikë që kishte nisur në 1995, por tani e vendosim në spektrin më të gjerë. Ne ndërhymë mbi tatimin mbi të ardhurat personale për punonjësit në 300 mijë lekë në muaj” tha Berisha.
Kryeministri gjithashtu vlerësoi edhe takimit që ka zhvilluar kohët e fundit me qytetarët, fermerët por edhe me sipërmarrësit që sipas tij kanë shërbyer për vendime të vyera që do vihen në zbatim në mandatin e tij të ardhshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›