Meta - Hague: Duhet të rivendoset dialogu politik

TIRANË - Kriza politike, e cila vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur edhe pas negociatave në Strasburg, është diskutuar edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe homologu i tij britanik i sapoemëruar, Uilliam Hague, gjatë një bisede telefonike midis tyre.
Të dy ministrat kanë specifikuar se klasa politike shqiptare duhet të rivendosë dialogun politik si rrugë për zgjidhjen e kësaj situate. "Meta dhe Hague biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri.
Në këtë kontekst, ata ndanë dëshirën për përmirësimin e klimës së brendshme politike duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut politik në vend", - thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Jashtme në Tiranë.
Në bisedën telefonike midis dy krerëve të diplomacive është diskutuar edhe mbi procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit tonë në BE. Sipas njoftimit, theksohet se ministri i ri i Jashtëm i Britanisë së Madhe mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane, duke u përqendruar edhe tek roli i Shqipërisë në rajon.
Kreu i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, vuri në dukje se marrëdhëniet midis Tiranës dhe Londrës do të përforcohen edhe më tej, ndërsa i adresoi edhe urimet e tij ministrit të Jashtëm anglez për detyrën e re.