E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta- Basha, takim kokë më kokë pas dështimit të mbledhjes së këshillit bashkiak. Këshilltarët u sëmurën nga ethet e kazinove

(E PERDITESUAR)- Para dy ditësh dështoi mbledhja e këshillit bashkiak, ku priteshin të merreshin vendime të rëndësishme. Zyrtarisht u deklarua se disa anëtarë të këshillit, përfshi kryetarin, Njazi Kosovrasti, ishin të sëmurë. Por nën zë u tha se papritur LSI ishte sëmurë. Pati zëra për një krisje në marrëdhënien shumë të mirë mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës.

Gazeta Shqip raporton se menjëherë pas dështimit të kësaj mbledhje, mes Metës e Bashës është zhvilluar një takim kokë më kokë. Bashkia ka konfirmuar se ka pasur një takim, por nuk ka dhënë detaje për bisedën e aleatëve.

Basha dhe Meta janë duke u kthyer në një pol ndikimi brenda mazhorancës, ndërkohë që në krahun tjetër qëndron poli i ndikimit të Topallit. Që tani kanë nisur të ravijëzohen qartë grupimet, të cilat presin të marrin drejtimin e partisë pas largimit të Berishës.

Nga Shqiptarja.com, burime të pakonfirmuara thonë se ‘sëmundja’ e papritur e këshilltarëve u erdhi si pasojë e presionit të ushtruar nga biznesmenët e kazinove, pasi pikërisht në atë seancë do të gjykohej ndër të tjera edhe projekt-vendimi që i përqendron bizneset e kazinove në Kombinatin e Autotraktorëve, në Shkozë.

Disa këshilltarë të LSI u shprehën se ky projekt-vendim duhet riparë e përmirësuar e se nuk duhen penalizuar bizneset, pa harruar të shtojnë se koalicionin me PD e kanë më të fortë se kurrë, pavarësisht se më i fortë se koalicioni qëlloi gripi i stinës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›