E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta 2012 vit i rendesishem per integrimin e vendit

Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi sot Konventën Kombëtare për të zgjedhur kreun e ri që do të drejtojë një lëvizje të tillë për mandatin e ardhshëm. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i LSI-së, Ilir Meta duke e cilësuar këtë Konventë si të suksesshme, vlerësoi kontributet e LRI-së, si dhe u bëri thirrje të rinjve që të bëhen pjesë e kësaj lëvizje. Kjo, pasi sipas tij,  për gjithsecilin LRI do t’u jepte mundësinë për të realizuar ëndrrat e tyre. 
“Ne duhet të ecim me ritmin e rinisë, të ecim me ritmin e atyre që lindën pas '90.  Të jemi krenarë për studentët e Dhjetorit”, u shpreh Meta.
Në vlerësimin e tij, është e domosdoshme që t'i përgjigjemi nivelit të shoqërisë.
Ndërkohë që një moment i rëndësishëm i fjalës së kreut të LSI-së ishte pikërisht procesi i integrimit të vendit. Sipas Metës, Shqipëria nuk ka kohë më për të humbur dhe për këtë arsye, klasa politike duhet të jetë më konstruktive në realizimin e të gjitha rekomandimeve, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat. 
“Ne duam një Shqipëri, si gjithë Europa. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në vendet e BE, por integrimi ka ende punë, ndaj klasa politike të marrë përgjegjësitë e saj, pasi 2012 është  viti vendimtar për integrimin e vendit”, vuri në dukje Meta. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›