E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Aleanca për Qytetarin e fitoi Tiranën me kontributin e LSI

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje se koalicioni PD-LSI fitoi 140 mijë vota më shumë në rang vendi, si dhe garën e kryeqytetit. “Mendoj se Aleanca për Qytetarin ka fituar me 140 mijë vota dhe natyrisht që ky është një tregues shumë domethënës. Aleanca për Qytetarin ka fituar për sa i takon numrit të njësive vendore, por njëkohësisht ajo çka është më e rëndësishmja, ky koalicion ka fituar në kryeqytet, ka fituar dhe njësitë bashkiake në Tiranë me rezultatin 7-4, ka fituar edhe drejtimin e Këshillit Bashkiak, ku natyrisht edhe kontributi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i konsiderueshëm”, tha Meta, në një prononcim për TV “Vizion Plus”. Sipas tij, rezultati i arritur nga LSI në datën 8 maj është “një konfirmim i shkëlqyer i kësaj politike të drejtë dhe natyrisht që është edhe tregues i rritjes tashmë të pandërprerë për LSI-në”. Kreu i LSI-së nuk preferoi të flasë për ndryshimet në qeveri. “Kjo është një çështje tjetër. Për ne si Lëvizje Socialiste për Integrim parësor mbetet pikërisht angazhimi për të vazhduar atë dialog që zhvilluam gjatë muajve të fundit me të gjithë qytetarët dhe me të gjithë votuesit, për t’i vënë në një eficiencë më të madhe të gjitha institucionet e qeverisjes vendore”, tha ai. I pyetur nëse mund të kthehet në qeveri pas ndryshimeve të paralajmëruara nga kryeministri Berisha, lideri i LSI-së tha se pikësynimi i tij janë zgjedhjet e vitit 2013 dhe forcimin e kësaj force politike. “Për mua, sfida kryesore është viti 2013 dhe pikërisht që ky rezultat shumë pozitiv i Lëvizjes Socialiste për Integrim më 8 maj, do të vijojë edhe me kompletimin e gjithë strukturave të LSI-së me zgjedhjet që do të zhvillohen dhe absolutisht që jam i sigurt se në vitin 2013 rezultati i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jetë akoma më solid”, përfundoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›