E Diel, 1 Nëntor 2026

Probleme me ekzaminimin në kemp? Tani ankohesh në gjyq

Nëse një invalid del në KEMP dhe anëtarët e komisionit i vendosin një pagesë që, sipas tij, është më pak nga sa i takon, mund t’i drejtohet gjykatës. Dje, në Komisionin e Shëndetësisë në prezencë të deputetëve të mazhorancës u diskutua rreth ndryshimeve që i duhen bërë ligjit, për përfitimin e pagesës së invaliditetit në punë. Ndryshimet janë propozuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. “Kundër vendimit të KMCAP-it të DRSSH-së personi mund të ankohet në KMCAP-in epror, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Kundër vendimit të KMCAP-it epror të ISSH-së, personi mund të ankohet në gjykatë”, thuhet në projektligj. Argumentet për këtë propozim i dha drejtoresha e ISSH-së, Mirela Selita. “Realisht sot mund të shfaqet në gjykatë një kërkesë-padi në qoftë se ka pretendime për procedurën apo edhe për interpretimin. Çështja këtu ka pas qenë shumë e debatueshme, lidhur me shqyrtimin e rastit konkret nga ana mjekësore. Gjithmonë është ai debati midis qëndrimit të Komisionit Mjekësor Epror dhe rasteve që do të paraqiten në gjykatë, përmes ekspertëve që do të thërrasë gjykata”, u shpreh drejtoresha juridike e ISSH, Mirela Selita, në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë. Deputetët e mazhorancës ranë parimisht dakord me këtë propozim, por sërish ditën e mërkurë do të diskutohet përpara së ai të miratohet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›