Meta: Berisha dhe Rama të takohen, të lënë mënjanë gjërat e vogla Nga TemaZëvendëskryeministri, Ilir Meta, tha dje se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik në këtë fazë, ndaj bëri thirrje që opozita dhe qeveria të lënë mënjanë ato që Meta i quajti
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Meta: Berisha dhe Rama të takohen, të lënë mënjanë gjërat e vogla Nga TemaZëvendëskryeministri, Ilir Meta, tha dje se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik në këtë fazë, ndaj bëri thirrje që opozita dhe qeveria të lënë mënjanë ato që Meta i quajti gjëra të vogla.
“Momenti i dorëzimit të Pyetësorit nga ana e Komisionit Evropian është një moment shumë i rëndësishëm dhe historik që duhet të zgjojë energjitë më pozitive të gjithë aktorëve politikë në vend, por jo vetëm kaq, ai duhet të garantojë dhe gjithëpërfshirjen maksimale të të gjithë aktorëve politikë dhe socialë të shoqërisë civile dhe të ekspertëve më të mirë të vendit në të gjitha fushat e integrimit. Nuk ka gjë më të rëndësishme për të gjithë vendin tonë, për të gjithë shqiptarët sesa ky ushtrim i ri që fillon vendi me marrjen e Pyetësorit dhe që do të vijojë edhe me etapa të tjera në të ardhmen.
Unë dua të vlerësoj me këtë rast rëndësinë e gjithëpërfshirjes në këtë proces dhe ky ka qenë dhe është edhe vullneti i qeverisë, në mënyrë që ta kthejmë çështjen e integrimit në këtë moment kaq të rëndësishëm, pas dorëzimit të Pyetësorit, në një aksion kombëtar të gjithë klasës politike dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke lënë mënjanë gjërat e vogla, duke lënë mënjanë retorikat luftarake dhe të panevojshme, sepse vendi ka nevojë për të ecur përpara në procesin e integrimit dhe ka nevojë për sinergji pozitive të energjive të çdo shqiptari, aq më tepër të çdo politikani”, - tha Meta.
Kryetari i LSI tha se është i nevojshëm një takim mes kryeministrit, Sali Berisha, dhe kreut të opozitës, Edi Rama. Meta tha se Berisha i ka bërë gjithmonë thirrje Ramës, siç bëri dhe të mërkurën. Në fakt të mërkurën Berisha thjesht kërkoi nga Rama që të dilnin në konferencë për shtyp për pyetësorin. Meta nuk komentoi për asnjë moment faktin që kryeministri e quan opozitën mafioze dhe komuniste.
“Pa asnjë diskutim që çdo takim mes kryeministrit Berisha dhe z. Rama është shumë pozitiv dhe z. Berisha ka ftuar edhe dje dhe jam i bindur që do ta ftojë vazhdimisht z. Rama si kryetar i partisë më të madhe opozitare për të bashkëpunuar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur se qeveria do të ecë në këtë drejtim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës dhe shpresoj që edhe opozita të kontribuojë, sepse i ka të gjitha mundësitë për të dhënë kontributin e saj në këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë vendin”, - tha Meta.
Zv/kryeministri Meta tha se ai ishte i hapur për një takim me Ramën. “Unë jam i hapur në çdo moment dhe të jeni të sigurt që mazhoranca është shumë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, absolutisht dhe me veprime konkrete dhe jo thjesht vetëm me deklarata, por natyrisht që duhet vullnet nga të gjithë, sepse, e theksoj edhe njëherë, momenti është i rëndësishëm dhe historik dhe duhen lënë gjërat e vogla përpara aspiratës kryesore që bashkon shqiptarët. Integrimi nuk i ndan shqiptarët në të majtë e në të djathtë”, - tha Meta.
PS: Meta është aktor kryesor i krizës
Partia Socialiste iu përgjigj komenteve të kryetarit të LSI, Ilir Meta, për bashkëpunim për zgjidhjen e krizës, duke thënë se, nëse Meta do zgjidhjen e krizës, ku është vetë aktor, le të bëjnë transparencën e zgjedhjeve. Deputetja Olta Xhaçka tha se Meta duhet t’u shpjegojë shqiptarëve pse ata nuk do lëvizin pa viza si fqinjët e tyre.
“Ilir Meta, pasi tradhtoi zemrat e 83 mijë shqiptarëve, që në zgjedhjet e 28 qershorit votuan kundër Sali Berishës, vazhdon të zhgënjejë të gjithë shqiptarët, të cilët, ndryshe nga qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, do të mbeten të vetmit në Evropë që nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.
Ky njeri, që është sot paterica që mban Sali Berishën në pushtet, duhet t’iu shpjegojë të gjithë shqiptarëve pse në datën 19 dhjetor ata nuk do të mund të lëvizin lirisht në Evropë, pse Shqipëria ngeli në klasë dhe do të jetë e fundit që do të liberalizojë vizat me Bashkimin Evropian”, - tha Xhaçka.
“Dhe nëse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë vërtet të interesuar për të zgjidhur krizën, ku vetë Ilir Meta dhe ministrat e partisë së tij janë aktorë kryesorë duke rritur çmimin e energjisë dhe koston e kujdesit shëndetësor, le të hapin kutitë dhe të zbardhin të vërtetën e 28 qershorit. Pa hapur kutitë, ku këta zotërinj mbajnë fshehur krimin elektoral të 28 qershorit, nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje. Të hapin kutitë ose të largohen!”