Ministri Beja: "MASH nuk aprovon heqjen e emrit"
Ministri i ri i Arsimit, Fatos Beja nuk do të kalojë në qeveri, heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës
MASH: Nuk kemi propozim për heqjen e emrit të Universitetit, vendimi përfundimtar i takon Këshillit të Ministrave
Në prezantimin e parë si Ministër i Arsimit, Fatos Beja i ka dërguar një sinjal të qartë drejtuesve të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, se nuk do të pranojë për asnjë arsye, cilado qoftë kjo, ndryshimin e emrit të nderuar që mban kjo aureolë e dijes. “Ligji i Arsimit të Lartë, garanton autonominë e universiteteve dhe funksionimin e tyre mbi bazën e statutit dhe të rregulloreve të tyre. Në bazë të këtij ligji, është e mundur të ndryshohet emri i një universiteti, po kështu është e mundur që një rektor të bëjë një propozim, pas një vendimi të mbështetur në vendimin e Senatit. Por është Akti i Krijimit të vetë Universitetit i cili duhet të ndryshohet, dhe kjo nuk është atribut i Senatit, por i Këshillit të Ministrave. Një Vendim i Këshillit të Ministrave ndryshohet po nga Ekzekutivi”. Duket se atributi që i takon Këshillit të Ministrave, do të jetë pika ku MASH do të shtrëngohet fort për të mbajtur të gjallë emrin e Ismail Qemalit, në Universitetin e Vlorës. Ministri Beja, u ka thënë shkoqur anëtarëve të Senatit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, se paçka votës së tyre për të hequr emrin nga ballina e Rektoratit, MASH nuk ka ndërmend të kalojë propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave. “Deri më sot, në MASH nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga Universiteti i Vlorës. Por mund t’ju them që edhe nëse vjen, nuk do ta kalojmë si Vendim të Këshillit të Ministrave”,- ka pohuar kreu i sapoemëruar i Ministrisë së Arsimit, duke i dhënë fund debateve nëse do të hiqet apo jo, emri i Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës. Debatet mbi heqjen e emrit të Kryetarit të Parë të Shqipërisë së Pavarur, nisën pak ditë më parë, ndërsa në mënyrë surprizë me 8 kartonë pro dhe 7 kundër, Senati i Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, vendosi heqjen e emrit të personalitetit të shquar nga ky institucion. Heqja e emrit u argumentua nga drejtuesit e rektoratit, me arsyetimin e çuditshëm se Ismail Qemali nuk ka dhënë kontribut në fushën akademike, e për këtë shkak, figura e tij nuk meritonte të përfaqësonte Universitetin e Vlorës. Ky veprim, i cilësuar si i nxituar nga opinionin publik, solli reagimin e botës akademike shqiptare, ku figura të shquara publike, kërkuan reflektim të menjëhershëm nga drejtuesit e Rektoratit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Pas mosaprovimit të kreut të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, Fatos Beja, tashmë pritet reagimi i Rektoratit të universitetit në fjalë, nëse këta të fundit do të vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit të parë, apo do të tërhiqen nga vendimi për të lënë në fuqi emërtimin Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.