Mandatet në Kukës e Korçë, debate mes Ristanit e Subashit
TIRANË- Përllogaritja e mandateve në Kukës e Korçë është shoqëruar me debate të ashpra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, fillimisht mes përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti dhe nënkryetares, Deshira Subashi e më pas edhe kreut Arben Ristani.
Në mbledhjen e pasdites KQZ mori në shqyrtim projekt vendimin për përllogaritjen e shpërndarjes së mandateve për Qarkun e Korçës dhe të Kukësit, pas miratimit më parë nga KQZ të tabelës së rezultateve zgjedhore për këto qarqe.
Por, nënkryetarja Subashi e kundërshtoi shqyrtimin sot të këtij akti, pasi ajo ende nuk ishte njohur me të dhe kërkonte kohë.
Kosovrasti, e quajti kërkesën e saj të kotë. "Nuk ka kuptim që të kërkohet një dosje, pasi ne kemi shifrat dhe mund të bëjmë thjesht llogaritë për të nxjerrë mandatet. Qoftë 500 vota më shumë apo më pak për secilën forcë nuk ndryshon asgjë në këtë qark në ndarjen e mandateve"- tha Kosovrasti.
Menjëherë ka reaguar Subashi, e cila e quajti këtë të drejtë të sajën të mbështetur në kod.
"Meqë isha unë që e kërkova shtyrjen, jam në të drejtën time dhe këtu mund të kërkoj dhe ndihmën e Njaziut, i cili besoj se i ka ato aftësi, pasi mund ta ketë bërë dhe vetë atë akt që po na paraqitet. Unë dua ta shikoj aktin në mënyrën time, është e drejta ime e punës. Ka mbaruar mënyra e të proceduarit 'me vrap', se jemi pas rezultatit zgjedhor. Ne jemi brenda afateve të përcaktuara në Kod"- tha Subashi.
Qëndrimi i saj shkaktoi reagimin e kryetarit Ristani, i cili e quajti deklarimin e saj një provokacion të rëndë ndaj Komisionit. "Unë ju dhashë konsensusin që t'u lë kohën e nevojshme të shikoni materialet, ndërsa ajo që ju thoni se mund ta ketë bërë Njaziu aktin, ky është një provokacion. Nëse Njaziu ka aftësitë për t'i bërë këto llogari unë dua t'i studioj"- tha ai. Komisioni vendosi që p/vendimi për ndarjen e mandateve në Qarkun e Kukësit dhe të Korçës të shqyrtohej ditën e nesërme.