Meta: Berisha ta marrë karrigen e kryeministrit në shtëpi
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka sqaruar dje të gjithë debatin për çështjen se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm në kampin e së majtës. Ai qartësoi se për këtë çështje vendos Kushtetuta dhe se nuk ka asnjë konfuzion në kampin opozitar për sa i përket çështjes së kryeministrit të ardhshëm. Sipas Metës synimi i opozitës është fitorja e 80 mandateve në zgjedhjet e 23 qershorit. Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Sot opozita synon të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe të fitojë me diferencë gati 200 mijë vota gjë që është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme, tha Meta.
Kryeministri Berisha
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Berisha se Ilir Meta synon të marrë karrigen e kryeministrit, kreu i LSI-së tha se për këtë çështje do ti ofrojë një kompromis tjetër kryeministrit aktual, ndërsa deklaratën e Skënder Gjinushit se më mirë Berisha sesa Meta kryeministër, kreu i LSI-së e kaloi me një batutë. Ndërsa për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e kryeministrit, unë do të propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje. Sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa. Edhe ai kështu e bëri, kur humbi presidencën e mori karrigen e presidentit me vete. Gjinushi do të ketë ndonjë shqetësim për këtë çështje, ne do të angazhohemi si LSI të përballojmë shpenzimet për një karrige tjetër, deklaroi Ilir Meta.
Sondazhet
Në vijim të deklaratës së tij, kreu i LSI-së u ndal edhe tek sondazhet e zhvilluara deri më tani për zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Metës në këto zgjedhje LSI do të ketë një rezultat surprizë, ndërsa shtoi se të gjitha sondazhet e deri më tanishme për LSI-në kanë dështuar. Të jeni të sigurt që ata që kanë bërë dhe që do të bëjnë sondazhe do të kërkojnë falje në 24 qershor, por janë të falur sepse në fund të fundit nuk mendoj se kanë qëllime të caktuara. Të gjithë i kanë humbur bastet me LSI-në. Do ti humbasin më shumë këtë herë, të jeni të sigurt, u shpreh i sigurt Meta. Për sa i përket votimit të tre ligjeve, kreu i LSI-së tha se i takon maxhorancës që të mbledhë parlamentin për votimin e tyre, ndërsa konfirmoi edhe një herë se opozita është e gatshme ti votojë ato.
Meta: 4 nga 7 kandidatët e
LSI-së për Tiranën i përkasin LRI
Teksa prezantoi kandidatin e radhës për deputetë të LSI-së për qarkun e Tiranës, kreu i saj Ilir Meta tha se nga shtatë kandidatët që LSI ka në Tiranë, katër prej tyre i përkasin LRI-së. Katër nga shtatë kandidatët e LSI në qarkun e Tiranës, i takojnë Lëvizjes rinore për integrim. Janë të rinjve dhe të reja të cilët duhet të kenë mbështetjen tuaj në të gjithë të rinjve dhe të rejave në mbarë qarkun e Tiranës. Ju i dëgjuat ata, ndaj ju ftoj të votoni për partinë që i ka prioritet më shumë se askush tjetër promovimin , punësimin dhe arsimin e të rinjve. Të rinjtë dhe të rejat përmes LSI kanë mundësi që të rinjtë që çojnë në parlament përfaqësuesit e tyre, deklaroi Meta.