Listat e zgjedhësve, Noka sulmon minibashkinë e Metës
Ministria e Brendshme përplaset me punonjësit e Njësinë Bashkiake numër 2
Mazhoranca i është rikthyer sulmeve ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mesditën e djeshme, një grup auditi nga Ministria e Brendshme ka zhvilluar një kontroll të befasishëm në Njësinë Bashkiake numër 2 në kryeqytet e cila drejtohet nga Elez Gjoza, i LSI-së. Ky kontroll ka sjellë një tensionim të situatës në ambientet e Njësisë, ndërkohë që vetë kryetari i Njësisë Bashkiake, Gjoza nuk ishte i pranishëm gjatë këtij kontrolli.
Incidenti
Punonjësja e gjendjes civile në njësinë 2, Mirela Cokollari tha se Ministria e Brendshme nuk ka njoftuar më parë për këtë rikthim auditi. Ka një audit dhe nuk ka një program pune. Duke shfrytëzuar momentin që kryetari jonë nuk gjendet këtu janë futur në gjendje civile pa urdhrin e tij. Punonjëset kanë dalë jashtë, ndërkohë që një punonjëse mbahet brenda bashkë me auditin. Nuk ka pse bëhet në këtë formë. Nuk na kanë sjellë program pune dhe titullari nuk është. Nuk e kemi tek kontrolli por tek forma. Ky është rikthim auditivi, tha Cokollari. Nga ana tjetër, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Edmond Gjoleka i cili kryesonte edhe auditin tha se kontrolli është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Ministri Flamur Noka, për shkak të disa shqetësimeve të paraqitur nga qytetarët e njësive të tjera, që sipas tyre janë lëvizur pa dijeni. Me autorizim të ministrit Flamur Noka kemi ardhur të kontrollojmë për zbatimin e ligjshmërisë për zyrat e gjendjes civile. Shërbimi i gjendjes civile është shërbim unik. Funksionojmë pranë pushtetit vendor për ti ardhur në ndihmë, jo për tu urdhëruar, tha Gjoleka ndërsa shtoi se punonjësja nuk u mbajt brenda, por qëndroi vetë me vullnetin e saj. Sipas Edmond Gjolekës, nga kontrolli rezultoi që 51 emra familje të marra me procedura elektronike nga Njësitë Bashkiake të tjera, janë gjetur në Njësinë Bashkiake numër 2. Për këtë shkelje, Gjoleka tha se do të ketë masa administrative për punonjësit e kësaj administrate.