E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: S‘ka koalicion me Berishën. Do të jemi në opozitë

PBDNJ vendos përfundimisht të qëndrojë në opozitë, por të hyjë në sallën e Kuvendit. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i ka cilësuar zgjedhjet pa standarde dhe ka kërkuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor. ""Partia jonë duke mos ndryshuar asgjë nga qëndrimet e shprehura në vazhdimësi në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit do të jetë e pranishme në Kuvendin e Republikës, për të kërkuar me mënyrën, strategjinë dhe taktikat e veta, atë që e konsideron si çështje kardinale për demokracinë dhe funksionimin e sistemit tonë politik, transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit", tha Dule. PBDNJ, deri dy muaj përpara zgjedhjeve të 28 qershorit ishte në koalicion qeverisës me PD dhe u largua për t‘iu bashkuar opozitës. "Në momentin që po flasim nuk janë eklipsuar arsyet që e larguan PBDNJ-në nga koalicioni me PD, rrjedhimisht nuk ka vend për rishqyrtim të qëndrimit", deklaroi Dule. Kryeministri Sali Berisha me gjithë refuzimin për të dalë në një koalicion me të në zgjedhjet e 28 qershorit, ftoi sërish PBDNJ të bëhet pjesë e mazhorancës dhe qeverisë. Nga ana tjetër, pas mbledhjes së gjatë të kryesisë së PBDNJ-së, ku pati edhe debate u vendos përfundimisht që Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të qëndrojë në opozitë.
Sipas Dules, PBDNJ u shkëput nga koalicioni me PD-në për arsye konkrete dhe ato qëndrojnë sërishmi, sipas tij, një vijë e fortë ndarëse mes këtyre dy forcave politike. Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Dule vuri theksin te zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat, sipas tij, nuk kanë pasur standardet e nevojshme që kërkon një vend anëtar i NATO-s. Pikërisht për këtë fakt, Dule kushtëzoi pjesëmarrjen e mëtejshme të PBDNJ-së në proceset zgjedhore qoftë lokale apo të përgjithshme. "PBDNJ konkludoi se nuk mund dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë ballafaqim të ardhshëm zgjedhor, qoftë për pushtetin vendor apo atë politik, nëse zgjedhjet nuk administrohen nga komisione të të gjitha niveleve jo partiake", u shpreh Dule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›