Meta: Dibranët ti japin ujë në bisht të lugës Berishës
Ju nuk i keni borxh PD, është ajo që ka detyrime ndaj popullit tuaj
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një tur në qarkun e Dibrës ku prezantoi kandidatët për deputetë të LSI-së në këtë qark. Gjatë fjalës së tij, Meta akuzoi qeverinë se ka lënë pas dorë këtë qark, ndërsa shtoi se kryeministri Berisha nuk zgjidhi në këtë qark as problemin me ujin.
Deklarata
Sot jam i trishtuar jo për politikën por për lidhjet e mia të veçanta me Dibrën sepse unë kam qenë në gjithë Shqipërinë por nga ato që kam parë Dibra është qarku më i harruar nga qeveria Berisha sa i përket infrastrukturës. Por edhe pas 8 vitesh dibranët kanë vetëm 2-3 orë ujë në ditë. Nuk e meriton qyteti i Peshkopisë këtë situatë. Prandaj ka ardhur koha që meqë Berisha nuk e zgjidhi as problemin e ujit ka ardhur kohë që dibranët ti japin Berishës ujë me bisht të lugës dhe jo vota, tha Meta. Duke u ndalur tek rruga e Arbrit, Meta premtoi përfundimin e saj me ardhjen në pushtet të opozitës. Është koha për rrotacion, është koha për ndryshime të fuqishme të cilat e bëjnë realitet brenda mandatit të ardhshëm Rrugën e Arbrit që ajo të mos vazhdojë të mbetet një legjendë dhe të mos tregohet në historira dhe në barcaleta si dhe për të çuar përpara planin e punësimit të LSI-së, u shpreh Ilir Meta.
Bulqizë
Në vijim të vizitës së tij, kreu i LSI-së u ndal në qytetin e Bulqizës. Edhe në Bulqizë, Meta akuzoi kryeministrin Berisha se ka lënë pas dore qytetin e Bulqizës, ndërsa shtoi se kryeministri aktual po e shfrytëzon ndërtimin e Rrugës së Arbrit për qëllime elektorale. Bulqiza qendër e rëndësishme për të gjithë vendin dhe është njëkohësisht pjesë e qarkut të Dibrës që bashkë me Bulqizën janë më të harruarit dhe të neglizhuarit nga qeveria aktuale. Ndaj me 23 qershor do të ndëshkoni këtë harrese. Ju nuk i keni borxh PD është ajo që ka detyrime ndaj popullit tuaj. Sa herë ka zgjedhje lokale dhe parlamentare, premtohet rruga e Arbrit dhe hidhet një grusht asfalt elektoral. Por, me këtë ritëm duhet 80 vjet për të përfunduar këtë rrugë, deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Kryemadhi: Ka pasur investime, por ne kërkojmë të ecim më shpejt
Kandidatja për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me banorë të Komunës Zejmen. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi tha se investimet e qeverisë në këtë zonë kanë qenë të pakta, ndërsa premtoi ndryshim të kësaj situate. Më vjen keq kur ecim nëpër rrugët e komunave apo të fshatrave, por edhe në qytet brenda, ndihet mungesa e dorës së shtetit. Sepse ti shikon që ka shtëpi, lokale, investime shumë të mëdha që i kanë bërë njerëzit vetë, por kur shikon ato investimet publike diferenca midis asaj midis çka bëjnë njerëzit me të ardhurat e tyre dhe asaj çka bën shteti është shumë e vogël. Nuk po themi që nuk është bërë asgjë, por ne kërkojmë të ecim më shpejt, kërkojmë akoma më shumë, tha Kryemadhi. Në vijim, kandidatja e LSI-së prezantoi edhe planin prej pesë pikësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim për sa i përket punësimit.
SHKURT NGA POLITIKA
Basha: Ndëshkojeni me votë kërcënimin
e Ramës për planin rregullues
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha reagoi për herë të parë pas deklaratave të bëra nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama se do të anulojë planin Rregullues të Tiranës kur të vij në pushtet. Në deklaratën e tij, Basha e cilësoi si kërcënuese deklaratën e Ramës, ndërsa e quajti atë një tentativë për ta kthyer vendin pas. Mendoj se kulmi sot arriti me kërcënimin që bën për anulimin e Planit Urban të Tiranës, nuk ka provë më të qartë për qytetarët se Rama kërkon të na kthejë pas, në kohën kur pa plan ai mund të zgjedhë sipas qejfit të tij kush fiton e kush humb, kush ndërton, sa ndërton dhe cila kompani ndërton, tha Basha. Në vijim kryebashkiaku i Tiranës rikujtoi edhe një herë rëndësinë e planit të miratuar së fundmi. Ky plan krijon zhvillim, vende pune, jam i sigurtë që qytetarët e Tiranës që janë bashkautorë të planit dhe zhvillimit pa prapavijë politike, po që ka në rend nevojat për përmirësimin e jetës do e lexojnë kërcënimin për të na kthyer pas dhe do të vendosin me votë për të mos u kthyer pas me modelet e dështuara dhe të refuzuara, u shpreh Lulzim Basha.
PDIU prezanton Aida Shtinon si
kandidate për deputete në Lezhë
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka prezantuar kandidaten e saj për deputete në qarkun e Lezhës, Aida Shtino. Në fjalën e tij, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se Lezha është një zonë me potencial shumë të madh si në turizëm ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ne do ta bëjmë Lezhën etapë të detyrueshme të udhëtimeve të rinisë sonë të të gjitha viseve kombëtare. Për varrin e Skënderbeut, për kështjellën, për shumë bukuri të tjera. ne do mbështesim idenë për një port të Shëngjinit të projektuar për Kosovën dhe për gjithë rajonin. Jo për këtë port ekzistues, por për një port të ri. Ka studime në këtë drejtim dhe ne do të shtyjë përpara së bashku me Aidën dhe miq të tjerë në këtë drejtim. Ne, siç e dini, jemi një parti që kemi në programin tonë Komunuelthin kombëtar, njëlloj bashkimi ekonomik të gjithë viseve shqiptare. Sipas vizionit tonë,çdo pjesë e territorit ku jetojnë shqiptarët duhet të jetë në funksion të këtij zhvillimi, tha Idrizi.
Ruçi në Mallakastër: Saliu e ktheu
bujqësinë si në kohën e mesjetës
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi zhvilloi një takim me banorë të komunës, Greshicë dhe Kutë në Mallakastër. Gjatë fjalës së tij, Ruçi u ndal veçanërisht tek problemet që hasin fermerët e kësaj zone. Se një hektar plugim është trefishuar, një hektar korrje është trefishuar, një hektar frezim është trefishuar. E dini pse?! Se është trefishuar çmimi i naftës, nga 650 lekë, ka vajtur 2000 lekë. Fshatari sot paguan për kombajnën, për zetorin, për traktorin aq sa paguan çdo qytetar për naftën për benzin, për autobusin, për fugonin etj. Saliu ktheu parmendën në vend, është kthyer bujqësia në kohën e mesjetës në aspektin e punës me tokën, tha Ruçi. Duke u ndalur tek pronësia e tokës, Gramoz Ruçi premtoi se brenda mandatit të parë të qeverisjes socialiste ky problem do të marrë fund.