Meta: “Do të ishte padrejtësi e madhe nëse Shqipërisë s’do i jepej statusi kandidat”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një intervistë nga Uashingtoni për programin shqip të “Zërit të Amerikës” u ndal jo vetëm tek domosdoshmëria e thellimit të reformave, por edhe tek Kodi Zgjedhor si dhe nevoja për garantimin e barazisë së votës
Gjatë një interviste ekskluzive për “Zërin e Amerikës”, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u shpreh se do ishte padrejtësi e madhe nëse Shqipëria nuk do ta marrë statusin kandidat gjatë këtij viti, pas dy dështimeve radhazi si pasojë e ngërçit politik të opozitës. Për kreun e LSI Shqipëria vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit si dhe është në rrugën e implementimit të reformave. Vizitën e tij në SHBA Meta e cilësoi si frymë nxitëse për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe mbështetjen që aleati i shqiptarëve ka dhënë dhe jep për vendin tonë. Lidhur me të ashtuquajturën çështjen Meta-Prifti, kreu i LSI e cilësoi të gjithën “një lojë politike”. Lidhur me reformën zgjedhore, Meta tha se respektimi i Kushtetutës dhe barazia e votës qëndrime të pa ndryshueshme për LSI-në
Çfarë ndikimi mendoni se ka imazhi i Shqipërisë mbi klimën e investimeve?
Mendoj se Shqipëria e ka arritur t’i tërheqë me sukses investimet e huaja, sidomos gjatë viteve të fundit, pavarësisht se kanë qenë vite të vështira në përgjegjësi për ekonominë botërore por edhe për ekonominë rajonale. Absolutisht që përmirësimi i transparencës, lufta kundër korrupsionit, shkurtimi i të gjitha barrierave administrative dhe burokratike kanë qenë prioritet dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet. Sikurse u vu re edhe në propozimet që tashmë janë ndërmarrë nga Task Forca për reformën rregullatore e asistuar edhe nga USAID-i të cilat kanë përmirësuar dhe do të përmirësojnë edhe më tej klimën e biznesit në Shqipëri. Ndërkohë që konferenca e organizuar nga Universiteti “Xhon Hopkins” këtu në Uashington evidentoi një problem të rëndësishëm që është pikërisht përpjekja e të gjithë vendeve të rajonit për të krijuar rajonal, jo thjesht një treg individual të çdo vendi, pasi madhësia e tregut është përcaktuese për të tërhequr investitorë të huaj serioz, në rastin konkret investitorë të mëdhenj amerikanë.
Në procesin tuaj që u hap, gjykata ju nxori të pafajshëm, por për politikanin ka dhe një kriter tjetër të rëndësishëm që është perceptimi që ekziston për të. Mendoni se është e saktë të thuhet se si politikan ju keni humbur në këtë rast?
Unë këtë pyetje nuk arrij do të kuptojë për arsye sepse nuk besoj se ka pasur ndonjë që ka nuk e ka ditur që e gjithë kjo lojë ka qenë një lojë vetëm politike, e paprovuar mbi legjislacionin shqiptar, legjislacionin evropian dhe atë ndërkombëtar. Megjithatë ka qenë një lojë që unë e kam pranuar përderisa kam një përgjegjësi publike. Kjo do të thotë që edhe pse kam qenë i bindur për gjithçka të paligjshme e politike kam dhënë dorëheqjen pikërisht për shkak të kësaj ndjeshmërie që mund të ekzistojë në përgjithësi për politikanët për tu paraqitur përpara ligjit pa funksione qeveritare, si çdo qytetar shqiptar. Njëkohësisht të gjithë këtë proces i cili është demontuar hap pas hapi prej gati një viti, absolutisht që unë kam kërkuar që t’i shkoj deri në fund dhe që kjo çështje të mos pushohej për procedura pavarësisht se gjykata i konsideroi shumicën e veprimeve të kryera nga prokuroria si veprime të paligjshme, në kundërshtim me ligjin shqiptar, me Kodin e Procedurës Penale dhe me Konventat Europiane ku Shqipëria aderon. Ndërsa për sa i takon aspektit moral, ky aspekt ka përfunduar përpara gjyqit sepse më 8 maj, në zgjedhjet e përgjithshme vendore të cilat ishin më se politike për shkak të politizimit të qasjeve që iu bë, natyrisht jo nga ana ime apo e LSI-së, LSI pati një rritje prej 50% të votave dhe rritja më e madhe u shënua në Tiranë, ku beteja ishte edhe më politike.
A keni ndërmend të ktheheni përsëri në qeveri?
Kjo nuk aspak një çështje e rëndësishme apo një prioritet për mua. Për mua është përshpejtimi i integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo është edhe një nga temat kryesore që kam diskutuar edhe këtu në Uashington, në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në shumë institucione të tjera, edhe në Kongres, edhe në Senat, me drejtuesit më të rëndësishëm që merrem me marrëdhëniet e Kongresit dhe Senatit me Europën. Ajo që është e rëndësishme është se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas përkrahjes së jashtëzakonshme që i dhanë Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, tani gjithë prioritetin e tyre kryesor në raport me Shqipërinë, por edhe me rajonin e kanë në drejtim të përshpejtimit të axhendës integruese, gjë që u theksua edhe nga zëvendëssekretari i shtetit zoti Reeker, edhe në takimin me mua, por edhe në konferencën të cilës edhe iu referuat. Në këtë drejtim, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit mbeten një prioritet. Kjo ishte edhe një nga arsyet e takimit tim me administratorin e Agjencisë së luftës kundër trafikut të drogës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam i sigurt që Shqipëria do të shënojë progres të vazhdueshëm edhe me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Juve me zotin Prifti keni shpallur “armëpushim”, por ka kritika që thonë se kjo është një marrëveshje e heshtur për të fshehur diçka. Cili është komenti juaj për këto kritika?
Nuk kam shpallur as “luftë” as “armëpushim” me asnjë politikan dhe nuk kam asnjë raport personal me askënd. Unë kam kërkuar që kjo çështje të hetohet dhe të hetohet deri në fund dhe natyrisht dëshmitari i vetëm, praktikisht nga 20 dëshmitarë që solli prokuroria në gjyq, bëri punën e tij deri në fund. Kjo është çështje e tij. Unë nuk kam ndërmend të merrem me çështje të cilat nuk kanë të bëjnë as me vizionin tim me të ardhmen e vendit dhe as me çështjet e tjera, për më tepër me çështjet që janë pjesë e punës që do të bëjë drejtësia dhe gjykata.
Për sa i përket reformës zgjedhore, ju keni bërë dy propozime konkrete dhe a keni marrë mirëkuptimin e Partisë Demokratike me të cilët jeni edhe aleatë në qeveri?
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim çështja e Reformës Zgjedhore, nuk është çështje as e dy partive, qofshin këto, le të themi të mëdha siç quhen. Unë mendoj se kjo është çështje e qytetarëve shqiptarë sepse bëhet fjalë për respektimin e të drejtës së votës së tyre. Në këtë drejtim qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar për të respektuar dhe këtë parim kushtetues që ka të bëjë me barazinë e votës dhe që është shprehur në mënyrë shumë të qartë, e cila praktikisht është cenuar dhe cenohet nga i ashtuquajturi model spanjoll i sistemit tonë proporcional rajonal. Ne i kemi bërë disa propozime, partitë e tjera kanë bërë propozime të ndryshme. Shpresoj që ky proces të ecë përpara pa paragjykime.
A mendoni se Shqipëria do të marri statusin e vendit kandidat në fund të vitit dhe nëse po cilat janë çështjet më të mprehta që do të realizohen deri më atëherë?
Për mendimin tim do të ishte një padrejtësi e madhe nëse Shqipëria nuk do ta merrte statusin e vendit kandidat.
Padrejtësi në drejtim të kujt?
Padrejtësi në drejtim të qytetarëve shqiptarë, në drejtim dhe të raportit Shqipëri-Bashkim Europian, në drejtim dhe të asaj që Shqipëria ka bërë, bën për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit përmes një politike shumë të vlerësuar.
Nuk besoj se ju po e hidhni fajin tek Bashkimi Europian?
Nuk është ky qëllimi im, t’ia lë fajin dikujt, aq më tepër në drejtim të paditur. Por, Shqipëria për sa i takon kriterit ekonomik i ka përmbushur thuajse të gjitha detyrimet dhe është një vend që është vlerësuar e vlerësohet sa i takon të gjitha këtyre reformave. Shqipëria dhe për sa i takon dhe përafrimit të legjislacionit ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe kjo është vlerësuar. Për sa i takon disa çështjeve të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me dialogun politik kuptohet që nuk ka qenë vullneti këtu për të miratuar disa gjëra, që u miratuan ditët e fundit, por që mund të ishin miratuar dhe para dy vjetësh apo dhe gjëra të tjera që pritet të miratohen, por që duhet të ishin miratuar dy vjet më parë sikurse është dhe rasti i Gjykatës Administrative, e cila ka të bëjë edhe me rritjen e transparencës, ka të bëjë dhe me luftën kundër korrupsionit, edhe me përmirësimin e klimës së biznesit dhe me shumë elementë të tjerë. Ndaj unë besoj se Shqipëria duhet ta marrë statusin dhe angazhimi ynë është që ne t’i plotësojmë të gjitha këto angazhime, të gjitha këto prioritete, ndërkohë që duhet të kuptojmë që ka dhe prioritete, të cilat do të jenë për një kohë të gjatë si të tilla.
SHBA - Ilir Meta takon kongresmenët Eliot Engel dhe Ros-Lehtinen
“Shqipëria po punon për integrimin”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta po vijon takime në Kongresin dhe Senatin amerikan, ndërsa dje ai është pritur në një takim nga Kongresmeni dhe Kryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe Anëtar i Komisionit të Jashtëm, Eliot Engel. Meta dhe Engel diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, në Kosovë dhe mbi progresin e bërë në rajon gjatë vitit të fundit. Ilir Meta, pasi vlerësoi kontributin e veçantë të Kongresmenit Engel për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe Kosovës, e njohu atë me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Meta shprehu angazhimin e LSI për progresin e reformave të ndërmarra dhe për krijimin e një klime sa më pozitive në politikën shqiptare. Meta dhe Engel ndanë mendimin se partitë politike në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive duke vënë interesin e shqiptarëve mbi çdo interes tjetër partiak, në mënyrë që vendi të marrë statusin e kandidatit brenda këtij viti. Në këtë drejtim z. Meta vlerësoi mbështetjen që SHBA i jep integrimit evropian të Shqipërisë. Meta dhe Engel diskutuan gjithashtu mbi progresin e bërë kohët e fundit ne rajon, duke vene ne dukje marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë si një hap përpara në stabilizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Meta-Ros-Lehtinen: Inkurajim të investimeve amerikane në Tiranë/Në Uashington Ilir Meta u takua edhe me kryetaren e Komisionit të Jashtëm Ileana Ros-Lehtinen. Meta dhe Ros-Lehtinen diskutuan mbi zhvillimet e fundit ne Shqipëri, rolin e politikës konstruktive rajonale të vendit, si dhe mbi miqësinë e shkëlqyer mes Washingtonit dhe Tiranës. Meta theksoi se ka ardhur koha që shkëmbimet tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve të reflektojnë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes Ëashingtonit dhe Tiranës, duke kërkuar mbështetjen e Komisionit të Jashtëm për inkurajimin e investitorëve amerikanë drejt Shqipërisë dhe rajonit. Në këtë drejtim, Meta tha se Shqipëria paraqet interes të veçantë për investitorët amerikanë, veçanërisht në sektorët e energjisë, burimeve natyrore, infrastrukturës dhe turizmit. Shqipëria, tha Meta, ka arritur të krijojë një klimë shumë miqësore për biznesin e huaj, kjo fale edhe asistencës së USAID në përmbushjen e reformave. Gjithashtu, Meta dhe Ros-Lehtinen pasi shkëmbyen mendime rreth zhvillimeve të fundit politike në rajon, vunë në dukje rolin pozitiv që Shqipëria luan, veçanërisht në marrëdhëniet e shkëlqyera që ka krijuar me të gjithë fqinjët e saj.