E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbrojtja e mjedisit, detyrë e çdo drejtuesi vendor - ndëshkim ligjor për ndotësit”

30-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha, takim me prefektët
 
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim në selinë e Këshillit të Ministrave, me prefektët e vendit dhe Kryetarët e Qarqeve. Berisha u ndal në një tjetër çështje jo pak e prekshme nga qytetarët, siç është ajo e mbetjeve dhe pastrimi i mjedisit.
Sipas kreut të qeverisë, mbetjet vazhdojnë të jenë një problem, i cili ka impakt direkt tek qytetarët. Për këtë arsye, ai u kërkoi drejtuesve të këtij institucioni që në bashkëpunim me drejtuesit lokale në të gjithë vendin dhe me Ministrinë e Mjedisit të përcaktojnë vendet e posaçme ku do të grumbullohen mbetjet.
“Në problematikën që kemi para, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa problemet e plehrave. Së pari, zgjidhja e tij ka impakt direkt në mbrojtjen dhe zhvillimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë më shumë se në çdo gjë tjetër, ka impakt direkt në shëndetin e fëmijëve tanë, më shumë se çdo gjë tjetër, ka impakt direkt në imazhin tonë. Ne, për shkak të pamundësive tonë në histori, ose nuk kemi prodhuar lajme, ose kemi prodhuar lajme të  këqija. Kemi qenë edhe të rrethuar nga një racizëm dhe albanofobi, e cila ka gjeneruar shpifje dhe trillime nga më të shumtat rreth shqiptarëve. Por sot jemi të tjerë, jemi vend i hapur. Fatmirësisht, në vit, këtë vend e vizitojnë miliona njerëz. Absolutisht, secili prej tyre, thotë se këtu gjen një vend tërësisht tjetër nga ai që ka pasur në mendje. Në një nga universitetet tona private, këto ditë erdhën 100 studentë austriakë, në kuadër të shkëmbimit të praktikave. Ambasadori më tha se një prej tyre mori fjalën dhe u shpreh; ‘këtu unë gjej një vend totalisht të kundërt e të ndryshëm nga ai që unë kisha në kokën time’. Ky është realiteti. Nëse lexojmë artikujt në media, nuk ka një të tillë ku një vizitor të shprehet negativisht për gjërat e tjera këtu, por nuk ka një artikull që të mos trajtojë çështjen e plehrave. Sepse ne nuk e trajtojmë këtë problem me seriozitetin më të madh. Duhet t’i shohim gjërat realisht siç janë. Ne kemi qenë shoqëri rurale, fshati ka pasur betejën për ekzistencë. Por fshati tani është në standarde krejt të tjera. Atëherë ishte një betejë për ekzistencë. Ndaj dhe psikologjia ishte ajo e njerëzve që duhej të mbijetonin. Vet kushtet dhe rrethanat në fshat tashmë janë krejt të tjera, sot është kërkesë tjetër, është standard tjetër, është situatë tjetër. Sot, për veç të tjerash, sasia e plehrave që prodhohen në ditë është të paktën 10 - 15  herë më e madhe se sa prodhohej 20 a 30 vjet më parë. Sot, Shqipëria është në dritën e diellit në çdo skaj të saj, nga Bjeshkët e Namuna, në Butrint, nga vizitorë të huaj e shqiptarë. Ne do të mund ta trajtojmë problemin e plehrave duke e konsideruar nga secili prej nesh problemin më kryesor e më shqetësues. Ky është një problem i komplikuar, por duhet të praktikojmë ndërhyrjet emergjente dhe, ndërhyrjet më emergjente janë përcaktimi me përparësi i të gjitha vendndodhjeve ku do hidhen mbetjet, ri pozicionimi i tyre. Nuk ka pamje më të shëmtuar që mund të krijojë një  kryetar bashkie që lejon hedhjen e mbetjeve në rrugën që hyn në qytet. Ku po shkon? Po shkoj në ‘qytetin e plehut’. Jo zotërinj, qyteti është i qytetarëve, i burrave dhe grave që duan të jetojnë pastër. Në bashkëpunim me ministrinë e Punëve Publike dhe Drejtoritë e Mjedisit, do të përcaktoni për çdo komunë zonën e vendo-dhjeve të plehrave. Ndërkohë, do bëjmë gjithçka, qoftë për ndërtimin e landfill-eve, qoftë për ndërtimin e impianteve të djegies së tyre”, u shpreh Berisha.
Nga ana e tij, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu tha se situata kërkon një ndërhyrje të të gjitha strukturave. Drejtoritë  rajonale të mjedisit tashmë kanë përcaktuar dhe fotografuar të gjithë problematikën në çdo komunë e bashki. Ai theksoi se duhet të ketë më shumë bashkëpunim për zbatimin e planit të veprimit në këtë drejtim, edhe me strukturat, komunitetin, biznesin, etj. Në çdo komunë, qark e bashki, të përcaktohen vendgrumbullimi, bazuar në disa standarde mjedisore dhe kualitete te tjera të nevojshme. Fatmir Mediu tha se ministria ka  ngritur një grup pune me të gjithë specialistët, të cilët do mbajnë kontaktin dhe do të japin asistencën e nevojshme teknike për zbatimin e hapave më tej të pastrimit të zonave, deri në 20 prill, që është edhe dita e Shqipërisë së pastër, e përcaktuar si afat për pastrimin e zonave më të ndotura.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›