Arrestohet serial-killeri i bankave dhe i argjendarive

Aksion i jashtëzakonshëm i Policisë së Tiranës. Prangoset Viktor Gushi, seria-killeri që vepronte vetëm, që kishte vrarë dy veta brenda disa muajve dhe që kishte grabitur 7 banka e argjendari gjatë vitit të fundit. Vrasësi konfirmon autorësinë dhe rrëfen se dje kishte planifikuar edhe një tjetër grabitje tek “21 Dhjetori”
Berisha: “Suksesi i këtyre operacioneve është përgjigja më e vendosur ndaj krimit dhe autorëve të tij”
Polica e Tiranës ka prangosur mbrëmjen e kaluar autorin e dyshuar të tentativës së grabitjes me armë të një filiali të Bankës NBG, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri. Ndërsa nga Policia e Tiranës, konfirmohet prangosja e të dyshuarit, bëhet e ditur se personi i arrestuar kishte planifikuar të kryente një tjetër grabitje dje, pranë zonës “21 Dhjetori”.
Burime të Policisë së Tiranës, bënë të ditur se rreth orës 19.00 të mbrëmjes së djeshme, prangosën autorin e vrasjes së arkëtares së NBG Bank, shtetasin Viktor Gushi 45-vjeç me origjinë nga Patosi.
Të njëjta burime saktësuan se Viktor Gushi është ndaluar në zonën “Don Bosko” gjatë një operacioni të mirëorganizuar, ndërsa policia ka arritur ta kapë me armë në dorë, brenda banesës ku jetonte.
Mësohet se arrestimi i Gushit është realizuar nga katër punonjës të SHKB, të cilët e morën në pyetje në garsonieren ku jetonte për rreth një orë.
Rreth orës 20.25, Gushi është transportuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Policia ka arritur të mbledhë prova të forta se 45-vjeçari është edhe autor i vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj më 21 tetor 2011, pasi ekspertiza balistike ka vërtetuar se arma që iu gjet Gushit është përdorur në të dyja ngjarjet. Gushi ishte i divorcuar, ndërsa ka edhe dy fëmijë nga kjo martesë. Familjarët e tij jetojnë në Greqi, vend ku edhe ka grabitur para se të kthehej në Shqipëri.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj
Arrestimi i Viktor Gushit është konfirmuar dje edhe nga drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Bernard Çaushaj, i cili theksoi se i prangosur ka pranuar autorësinë në këtë ngjarje të rëndë. “U arrit të kurorëzohej me sukses kapja e autorit të tentativës së grabitjes ku si pasojë gjeti vdekjen arkëtarja Leonora Kaloçi si dhe u plagos roja i bankës”, deklaroi mbrëmjen e djeshme, drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Bernard Çaushaj.
Zyrtari i lartë i Policisë së Tiranës pohoi se i arrestuari është i përfshirë në aktivitet kriminal brenda dhe jashtë Tiranës.
Sipas Çaushajt, mësohet se në banesën e 45-vjeçarit Gushi në rrugën “Don Bosko”, ku ai qëndronte i vetëm prej 5 vitesh, janë gjetur prova të shumta materiale që hedhin drite mbi aktivitetin e tij kriminal, kryesisht grabitje, si doreza, maska, etj. “Doli se arma që i sekuestruam ishte e njëjta që kryen vrasjen. Po ashtu u gjetën maska dhe prova të tjera materiale”, bëri midis të tjerave të ditur drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Bernard Çaushaj, ndërsa shtoi se në banesën ku po qëndronte Gushi, jetonte i vetëm.
Çaushaj pranoi se nga pyetjet e para i ndaluari Viktor Gushi ka pranuar se është autori i vrasjes së argjendarit Rrapo Sinani dhe të Leonora Kaloçit si dhe të disa të tjerave.
“Prova e parë që mban në burg është arma e kryerjes së krimit u bë ekspertiza balistike e pistoletës dhe rezulton se është autor si për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinani edhe arkëtares Kaloçi, ndërsa në banesë u gjetën maska, rrobat e trupit, dorezat etj”, konfirmoi drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Bernard Çaushaj.
Më tej ai bëri me dije se mbi të rëndojnë një lum akuzash ndërsa ka qenë i dënuar edhe në Greqi me 5 vite burg. “Ai i ka pranuar të gjitha krimet që ka kryer”, shtoi Çaushaj.
Viktor Gushi, i dyshuar edhe për vepra të tjera
Viktor Gushi akuzohet se është autor në tentativën e vjedhjes me arme të filialit të NBG Bank pranë sheshit “Shtraus”, në Tiranë, të martën, me pasojë plagosjen e rojës se bankës, dhe vrasjen e një punonjëses të kësaj banke. Por, sipas burimeve të Policisë së Tiranës, dyshohet se ai është përfshirë në disa ngjarje të renda kriminale, një nga të cilat vjedhja me armë e argjendarisë, me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinani, në Tiranë, më datë 21 tetor 2011.
Sipas tyre ai ka pranuar se ka kryer 7 grabitje.
Nga zhvillimi i deritanishëm i hetimeve, rezulton se nga ekzaminimi kriminalistik – balistik i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, arma e përdorur në ngjarjen e pardjeshme, është përdorur edhe në vjedhjen me armë të argjendarisë me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinani.
Arrestimi i 45-vjeçarit erdhi pas një hetimi intensiv të policisë së Tiranës dhe prokurorisë së rrethit si dhe administrimit të një sërë informacionesh si dhe materialesh hetimore, ndër to foton e të dyshuarit.
Ngjarja më e fundit, për të cilën dyshohet Viktor Gushi, ndodhi rreth orës 15.30 të ditës së martës, pranë Sheshit “Shtraus” në NBG Bank, kur gjatë një tentative për vjedhje me armë të filialit të kësaj banke, kanë mbetur të plagosur, roja i Bankës shtetasi Skënder Elmazi, 53 vjeç, me banim në Tiranë si dhe është plagosur duke gjetur vdekjen më pas në spital, punonjësja e Bankës shtetasja Leonora Kaloci, 45 vjeç, banuese në Tiranë.