E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do të japim 100 bursa për studentët afganë

07/12/2009  Integrimi, Papandreu angazhohet për anëtarësimin e Shqipërisë brenda vitit 20014

Shqipëria do të ofrojë vitin e ardhshëm 100 bursa studimi për studentë afganë, që do të duan të mbarojnë studimet në universitetet shqiptare. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta gjatë një daljeje të tij para medieve. Këtë premtim Meta e ka bërë gjatë mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, të mbledhur në datat 3 dhe 4 dhjetor në Bruksel. Sipas tij, ky është një tjetër kontribut që Shqipëria jep në stabilizimin e paqes dhe të sigurisë në këtë vend. “Në këtë kuadër, deklarova se qeveria shqiptare do të financojë vitin e ardhshëm edhe për ndërtimin e disa shkollave dhe do të ofrojë bursa studimi për 100 studentë afganë për të studiuar në universitetet shqiptare. Shpreha edhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në Afganistan përkrah Shteteve të Bashkuara dhe gjithë vendeve të tjera anëtare të Aleancës në suksesin e këtij misioni, që është kyç për kredibilitetin e kësaj aleance për sigurinë e vendeve tona, por dhe për sigurinë globale dhe të paqes në botë”, - tha Meta. Sipas tij, ministrat e Jashtëm të organizatës së Atlantikut të Veriut u shprehën se e mirëpresin deklaratën e Presidentit Obama dhe të Shteteve të Bashkuara për shtimin e trupave në Afganistan si dhe u mirëprit kontributi i Shqipërisë me 85 trupa ushtarake shtesë për këtë qëllim. “Ministrat e Punëve të Jashtme u shprehen se mirëpresin deklarimin e Presidentit Obama se Shtetet e Bashkuara do të rritin në mënyrë substanciale kontributin me forca ushtarake në Afganistan. Ata mirëpritën edhe kontributet shtesë të deklaruara nga vendet e tjera e në këtë kontekst vlerësuan edhe vendimin e qeverisë shqiptare për dërgimin vitin e ardhshëm në Afganistan të një njësie shtesë prej 85 trupash”, - tha Meta. Një vend të veçantë në fjalën e Metës zuri dhe takimi që ky i fundit zhvilloi në datat 1 dhe 2 dhjetor në vendin fqinj, Greqi, në punimet e ministerialit të 17-të të OSBE-së. Një takim me rëndësi të veçantë, sipas Metës, ishte dhe ai me kryeministrin e Greqisë Jorgo Papandreu, gjatë të cilit ky i fundit është angazhuar për përshpejtimin e hapave për integrimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2014. “Gjatë takimit me zotin Papandreu ky i fundit më konfirmoi vullnetin e qeverisë së tij për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2014. Gjithashtu ai shprehu gjithë mbështetjen e qeverisë së tij për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe procesin e liberalizimit të vizave. Me kryeministrin Papandreu diskutuam për të përmirësuar më tej të drejtat e emigrantëve tanë në Greqi”, - tha Meta gjatë fjalës së tij përpara gazetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›