Raporti i KiE: Zgjedhja e Presidentit, jo burim tensioni
Në raport kërkohet arritja e një konsensusi për kreun e ri të shtetit
Këshilli i Europës kërkon nga klasa politike në Shqipëri të arrijë një marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Në raportin e hartuar nga dy bashkëraportuesit e Këshillit të Europës Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco , theksohet se zgjedhjet presidenciale të mos bëhen burim të tensionimit të situatës politike në Shqipëri. Zgjedhjet presidenciale duhet luajnë një rol të rëndësishëm duke normalizuar klimën politike në Shqipëri. Kështu është e rëndësishme që këto zgjedhje të mos bëhen një burim tensioni dhe ta çojnë politikën në një rrugë pa krye. Forcat kryesore politike duhet të përpiqen të arrijnë një marrëveshje konsensuale dhe të pranueshme nga të dyja palët për kandidatin për president të vendit thuhet në raport, ku më tej theksohet se edhe pse klima politike në vend ka ndryshuar gjatë muajve të fundit, ajo vijon të jetë e tensionuar dhe kjo u vu re gjatë misionit të dy raportuesve në Shqipëri në datat 2 dhe 3 prill të këtij viti. KiE i bën thirrje mazhorancës dhe opozitës të vijojnë bashkëpunimin konstruktiv dhe dialogun duke nënvizuar se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës duhet të shërbejë për normalizimin e mëtejshëm të klimës politike. Këshilli i Europës ka vlerësuar punën që po bëhet për miratimin e reformës zgjedhore. Teknologjitë për votimin elektronik duhet të aplikohen në të gjitha qendrat e votimit duke përfshirë edhe ato ku kushtet mund të jenë të pafavorshme për teknologji të tilla, relativisht të paprovuara. Ne rekomandojmë që kjo mënyrë e re të aplikohet në një projekt pilot, vetëm në disa qendra votimi gjatë zgjedhjeve të ardhshëm, theksojnë reporterët, të cilët kanë deklaruar se do ta vizitojnë sërish Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti.
5 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Raporti i KiE: Zgjedhja e Presidentit, jo burim tensioni burimi: Gazeta Shqip