E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Do të zgjidhim një herë e mirë çështjen e rimbursimit të TVSH-së

DURRES - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vizituar një fabrikë ku prodhohen tulla në fshatin Maminas. Në bashkëbisedimin e zhvilluar me investitorët dhe punonjësit e pranishëm, Meta tha se është inkurajues fakti që ka biznese të tilla që prodhojnë dhe eksportojnë, ndërsa premtoi mbështetje për ta.

‘Është kënaqësi e veçantë të vizitoj një biznes të tillë, i cili prodhon tulla, në një kohë kur situata ekonomike është mjaft e vështirë dhe kur hapësirat dhe mundësitë për këto sipërmarrje janë bërë gjithnjë e më problematike. Megjithatë është mjaft inkurajues fakti që punohet dhe jo vetëm ka, prodhohet dhe eksportet. Është një objektiv i ynë që të jemi më pranë këtyre aktiviteteve prodhuese, këtyre aktiviteteve që gjenerojnë eksport, duke u krijuar më shumë lehtësi”, - u shpreh kryetari i Lëvizjes Socialiste.

Meta thekoi se LSI do të zgjidhë një herë e mirë çështjen e rimbursimit të TVSH-së, e cila sipas tij, po i vështirëson aktivitetin normal bizneseve në Shqipëri.

“Do të zgjidhim një herë e mirë edhe çështjen e rimbursimit të TVSH-së që është kthyer në një dramë për të gjitha këto aktiviteti dhe për biznesin në përgjithësi. Kjo problematikë vështirëson ecurinë normale dhe rritjen e atyre aktiviteteve dhe rritjen e eksporteve. Prandaj ne angazhohemi për të zgjidhur çështjen e rimbursimit përmes rimbursimit automatik sepse vështirësitë e mëdha që vijnë në këtë drejtim, që nga rimbursimi i akcizës për lëndët djegëse që përdoren si lëndë të para për këtë industri prodhuese, që nga rimbursimi i TVSH-së për eksportet etj, përbëjnë pengesa mjaft serioze të cilat vënë në vështirësi frymëmarrjen dhe funksionimin efikas të këtyre aktiviteteve, të cilat janë aq jetike për rritjen e prodhimit në vend, për rritjen e eksporteve, për punësimin dhe për të pasur një ekonomi konkurruese, një ekonomi të shëndetshme, një ekonomi që gjeneron zhvillim për të gjithë shoqërinë dhe ekonominë tonë kombëtare”, -u shpreh Meta.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta tha se biznesi meriton më shumë mbështetje nga qeveria. Ai nënvizoi se LSI do të angazhohet për mundësuar zhvillimin e biznesit në vend për të rritur eksportet e mallrave shqiptare drejt vendeve të tjera. Gjithashtu, ai e vuri theksin te përpjekjet që duhen bërë për të nxitur biznesin dhe për të ndihmuar hapjen e vendeve të reja si prioritet kryesor në programin e LSI-së.

“Për LSI është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të vihet në punë, prandaj edhe në të ardhmen do të jetë një prioritet i yni jashtëzakonisht i rëndësishëm mbështetje e biznesit. LSI është e bindur se me një mbështetje më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë së ardhshme, jo vetëm do të ruhen vendet e punës, por do të mund të shumëfishohen, duke u zgjeruar këto aktivitete, duke realizuar cikli i plotë i këtyre aktiviteteve në vend dhe në mënyrë të veçantë, duke rritur eksportet shqiptare drejt vendeve të tjera dhe në radhë të parë drejt vendeve të BE-së”, - theksoi Meta.
Në përfundim, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Plani i Punësimit i LSI-së është një platformë realiste ku edhe shumë nga problemet e biznesit gjejnë zgjidhje përmes mekanizmave dhe stimujve financiarë konkretë për të gjithë sektorët e ekonomisë, ku edhe potencialet e punësimit janë më të mëdha.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›