E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kahl: Rumunët dhe vllehët, të ndryshëm

Përgjigjen e kësaj pyetje e jep profesori gjerman Thede Kahl, i cili ka shkruar një libër me studimin e vllehëve të Ballkanit. Studimi i tij është botuar në librin "Etniciteti dhe ndarja hapësinorë e arumunëve në Evropën Juglindore."

“Rumunët e veriut të Ballkanit dallojnë nga arumunët ose vllehët në jug të tij. Duhet shpjeguar se në të gjitha popujt e Evropës juglindore dhe në Rumani, gjatë mesjetës ka qenë e zakonshme që rumunët të quhen vllehë. Me fillimin e identiteteve nacionale dhe të shteteve nacionale në Evropën Juglindore, shohim tek vendet ku jetojnë rumunët në Ballkanin verior, pra mes vllehëve një rikthim të rrënjëve latine”, theksoi prof Kahl në një intervistë për “Deutsche Welle”.

Ai sqaron më tej se “nga pikëpamja gjuhësore rrënjët janë të njëjta tek e ashuquajtura latinishtja vulgare, dialekti roman që flitej prej popujve të lindjes. Por gjuhët janë zhvilluar të ndara nga njera tjetra, që prej më shumë se 1000 vjetësh kanë zhvillime të ndryshme dhe janë sot aq të ndryshme saqë nuk mund të kuptohen dhe në përgjithësi nuk kanë bazë për një identitet të përbashkët. Në mes të vllehëve (arumunëve), nuk mund të gjenden njerëz që identifikohen me rumunët, dhe anasjelltas”.

Ai shton se tentativat e Rumanisë nga pikëpamja etnografe janë “një mënyrë e të menduari e "Rumanisë së Madhe", dhe nuk i përgjigjet identitetit të këtyre njerëzve. Arumunët në Shqipëri dhe në Greqi, kanë qenë shumë të lidhur me bizantizmin dhe mësuan më shumë greqisht dhe shqip e u përshtatën me sunduesit osmanë”.

Pak ditë më parë, presidenti rumun gjatë një vizite në Tiranë, kërkoi që Shqipëria të njihje komunitetin vlleh si minoritet rumun, kërkesë që të paktën deri më tani nuk është pranuar nga Shqipëria. Kërkesa në fjalë ngjalli reagime në Tiranë gjatë atyre ditëve, duke qenë se ishte një kërkesë jo e duhur dhe e pa vend, pasi vllehët në vendin tonë kanë të gjithë të drejtat ashtu sikurse shqiptarët autoktonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›