E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: E majta merr 80 mandate. Nuk kam diskutuar asnjë lloj posti për vete

TIRANË-Kreu i LSI bën të ditur se e majta do të marrë 80 mandate në zgjedhjet e 23 Qershorit. Gjatë një interviste televizive, Meta theksoi se pritshmëritë e LSI janë tepër pozitive në këto zgjedhje parlamentare.

“Pritshmëritë tona janë tepër pozitive. Në radhë të parë, ne do të kontribuojmë për një fushatë sa më pozitive, sa më konstruktive, sa më qytetare sepse mendoj se është shumë e rëndësishme për të gjithë vendin dhe për të gjithë qytetarët tanë që të kemi zgjedhje të standardeve evropiane dhe pritshmëritë janë tepër pozitive edhe për Aleancën për Shqipërinë Evropiane dhe në veçanti për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Unë besoj se do të jetë një diferencë tepër e dukshme, rreth 200 mijë vota ose të paktën 80 mandate për koalicionin e opozitës”.

I pyetur se cili do të jetë rezultati për LSI, Meta tha se “Rezultati i LSI do të jetë gjithmonë dyshifror”.

Kreu i LSI theksoi se pas 23 Qershorit pret një mazhorancë të re me ambient bashkëpunues, jo vetëm me opozitën e ardhshme.
“Në radhë të parë të një mazhorance të re, e cila di të krijojë një ambient bashkëpunues, jo vetëm me opozitën e ardhshme, por edhe me të gjithë aktorët e tjerë. Për një qeveri më gjithëpërfshirëse, vendimet e së cilës të kenë impakte pozitive, afatgjata për të gjithë vendin. Pra, nuk është thjesht shqetësimi i raporteve për të nesërmen midis PS dhe LSI”.

Kurse i pyetur nëse ‘A diskutohet një post si kryetar Parlamenti për Ilir Metën’, kreu i LSI u shpreh se “Nuk diskutohet asnjë lloj posti. Sot diskutohet suksesi dhe fitorja e këtij koalicioni dhe njëkohësisht kontributi i këtij koalicioni për të garantuar një proces zgjedhor të niveleve sa më të larta, duke pasur në konsideratë disa shqetësime që janë krijuar deri tani, siç është rasti i KQZ-së, apo edhe problematika të tjera”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›