Lushnjë/ Koalicioni mes PD-së dhe LSI-së merr postet drejtuese
Këshilli Bashkiak i Lushnjës kalon në duart e PD-së. Koalicioni PD-LSI i ka "zhvatur" PS-së mandatin e kryetarit dhe nënkryetarit të këshillit bashkiak. Mbledhja e radhës ka kaluar mes debatesh të ashpra. Kalimi i mazhorancës në duart e pozitës ka bërë që këta të fundit të përpilojnë një mocion mosbesimi për kryetaren e këshillit, Vasilika Hoxha, si dhe nënkryetarit të këtij këshilli, Vladimir Hajdari. "Kthimi i këshillit në interesa të ngushta familjare dhe personale", ka qenë motivi i mocionit të mosbesimit dhe shkarkimit të tyre. Të dy drejtuesit e akuzuar e kanë kundërshtuar me forcë këtë akuzë, ndërsa kanë deklaruar se gjithçka e bërë brenda këtij këshilli ka qenë në emër të ligjit dhe të drejtësisë. "Kjo është gjëja më absurde që kam dëgjuar. Nuk ka pasur kurrsesi mundësi që ne të vendosim veton për diçka të përbashkët. Ne kemi bërë atë që e kemi kontrolluar të gjithë dhe që të gjithë kemi vendosur së bashku që të shohim interesat e komunitetit. Ky nuk është justifikimi i duhur. Ky është një turp", ka deklaruar, Vasilika Hoxha, pak para se të miratohej shkarkimi. Duke parë se gjithçka kishte marrë rrugën e ndryshimit në radhët e këshillit, salla është braktisur nga anëtarët e PS-së, duke i lënë zhvillimet në duart e shumicës qeveritare. Me votim të fshehtë është zgjedhur pas mesditës kryetar i këshillit, Gazmend Korreshi (PD) dhe nënkryetare nga LSI, Bahrie Dyrmishi. Vendimi u mor me 22 vota pro dhe me 12 vota kundër.
Ma.Tr.
Ma.Tr.