Meta Fitore ndaj koalicionit te cimkave

Duke folur në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Meta është shprehur i bindur se në këtë proces partia e tij do të konfirmohet si forcë politike parësore.
“Sfida e vitit janë zgjedhjet e 8 majit. Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme LSI do të konfirmohet në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë si forcë e qytetarëve, kombëtare, patriotike dhe e vlerave më të mira për integrimin evropian të vendit”, ka deklaruar Meta.
Sipas tij, LSI ka dhënë një kontribut të vecantë në proceset integruese të vendit, të cilat kanë ecur përpara pavarësisht se grupe të caktuara kanë tentuar t’i pengojnë.
“LSI e konfirmoi këtë angazhim përmes kontributit që dha në liberalizimin e vizave. Dhe ata që bënë gjithcka për të penguar heqjen e vizave, greva e protesta, dështuan me turp sic do dështojnë në të gjitha nismat anti-shqiptare që bëhen për interesin e ngushtë të lidershipit të PS, të marrë peng nga krimi dhe mafia”, ka pohuar Meta.
Ish-zëvendëskryeministri ka prekur edhe cështjen e videos, që e detyroi të jepte dorëheqjen, duke mos u tërhequr nga qëndrimi i tij se ajo është vetëm një montim.
“Videoja nuk është asnjë surprizë për mua dhe as për kryesinë e LSI, pasi në ditët kur janë bërë propozimet për të ndërruar pozicionet e ministrave të LSI në qeveri, unë mora një mesazh nga ish-partneri im që doli cimkë, se nëse nuk do ta shtyja mbledhjen e kryesisë do të dilte një gjë e tmerrshme”, është shprehur Meta.
Sipas Metës, Prifti është takuar personalisht me Edi Ramën dhe deputetë të PS, në emër të të cilëve i ka bërë atij ofertën për t’u bërë kryeministër dhe për të rrëzuar nga ky post Sali Berishën.
Por, ka theksuar Meta, ai e refuzoi këtë ofertë pasi nuk donte të bëhej pjesë e një njësie kriminale që synon të marrë pushtetin me metoda mafioze.
“Por unë i bëra të qartë se nuk mund të bëhesha pjesë e një konjukture të tillë. Prifti na sulmoi në emër të krimit të organizuar. Krimi i organizuar është përpjekja për të ndryshuar pushtetin jo me votë, por me shantazhe, manipulime, presione, vjedhje, korrupsion, me marrjen peng të shtetit dhe institucioneve”, ka nënvizuar Meta, i cili ka komentuar edhe dorëheqjen e tij.
“Unë nuk mund të jepja dorëheqjen për një montazh dhe menjëherë pasi dolën ata që u munduan të krijonin një situatë anarkie në vend. Më pas doli që lëvizja ishte një manipulim. Kryecimka është Edi Rama. Pasi vendosa lënien e imunitetit, pasi i kërkova hetim prokurorisë, ishte e domosdoshme dorëheqja e parevokueshme”, ka deklaruar Meta.
Ai është shprehur i bindur se do ta fitojë betejën ligjore kundër “montazhit” të opozitës, sipas tij, kriminale.
“Betejën ligjore do ta fitojmë përballë montazhit të krimit të organizuar, të cimkës, kryecimkës dhe gjithë kësaj bande që synon të marrë peng institucionet e vendit”, ka theksuar Meta.
“Ndërsa lidhur me zgjedhjet e 8 majit, koalicioni i integrimit do fitojë pa asnjë diskutim betejën me koalicionin e cimkave”, ka shtuar ai.