Meta Grate ne politike kane pergjegjshmeri
Roli i gruas është mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e vendit, përgjegjshmëria që i karekterizon gratë në jetën familjare, u garanton atyre edhe suksesin në jetën politike të vendit. Ka qenë ky mesazhi i kreut të LSI-së, Ilir Meta pjesëmarrës në punimet e Konventës Drejtuese të Gruas.
Kreu i LSI-së i garantoi pjesëtaret e LGI-së se do të kenë mbështejen e LSI-së dhe jo vetëm, për implementimin e ideve të tyre, në platformat për qeverisjen në e ardhmen e vendit. “Gratë kryefamiljare janë më eficente sesa burrat kryefamiljarë. Aftësitë e tyre lidhen me përgjegjshmërinë e tyre si nëna, përderisa janë kryefamiljare më të mira mund të jenë dhe politikane më të mira. Të gjithë ata që merren me politikë duhet të rrezatojnë përgjegjshmëri për t`iu përgjigjur sfidave, në një botë që ndryshon dhe në një Shqipëri që sbën përjashtim nga të tjerët”, vuri në dukje Meta.
Gjithashtu, kreu i LSI-së vlerësoi inisiativën për rifreskim e këtij forumi.
“Është një moment që kërkon fuqizimin e gruas. Sfidat kanë vecantitë e tyre, nevojitet angazhim në çështjet më madhore që ka vendi. Duhet të ecim më shpejt për marrjen e statusit, është një mesazh që në gojën tuaj është edhe më domethënës dhe inkurajues, kur jemi dhe në vigjilje të 100 vjetorit të Pavarësisë. Angazhimi në politikë si dhe në jetën sociale dhe ekonomike do të çojë Shqipërinë në progres dhe arritje më të mëdha”, deklaroi Meta.
Meta deklaroi se LGI dhe LRI, janë 2 nga lëvizjet kryesore në zbatimin e kërkesave për ndryshim që ka vendi. Sakaq në Lëvizjen e Gruas për Integrim u shpallën kandidaturat për të zgjedhur kryetaren e re të kësaj strukture të LSI-së.