E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli shkarkon Dalglishin

Legjenda do të jetë i detyruar të dalë nga dera e pasme dhe me kokën ulur. Keni Dalglish është shkarkuar si trajner i Liverpulit nga pronarët amerikanë të klubit anglez, edhe pse bëhet fjalë për një emër kaq shumë të madh.
Liverpuli i tij fitoi vetëm Kupën e Ligës, u mund në finalen e Kupës së Anglisë nga Çelsi dhe doli në vendin e 8-të në kampionat. Aspak mirë.
Skocezi me karakter të fortë ka qenë pjesë thuajse e çdo momenti të madh, por edhe të trishtuar të skuadrës së kuqe në 35 vitet e fundit, duke fituar trofe pa fund, por edhe duke u shtrydhur fizikisht e mendërisht.
Si lojtar ai fitoi 6 tituj kampioni në Angli dhe 3 kupa të kampionëve, nga ato që sot quhen Champions League. Ai shënoi gola vendimtarë.
Në mbrëmjen e 29 majit 1985, ai përjetoi tragjedinë e “Hejselit”, në finalen e Kupës së Kampionëve ndaj Juventusit, kupë që thuajse iu dhurua italianëve, pasi 39 tifozë vdiqën në tribuna, shumica dërrmuese e tyre juventinë. Rreth 500 ishin të plagosurit.
Pas asaj mbrëmjeje, klubet angleze u përjashtuan nga Europa, ndërsa Dalglish u bë trajner-lojtar i Liverpulit. Me këtë status të ri ai fitoi 3 tituj kampioni dhe dy kupa të Anglisë, ndërsa u dërrmua psikologjikisht pas tragjedisë tjetër, edhe më të rëndë sesa e para, asaj që ndodhi në stadiumin “Hillsborou” të Shefilldit.
Ishte gjysmëfinalja e Kupës së Anglisë, mes Liverpulit dhe Notingemit dhe 96 tifozë liverpulas humbën jetën të shtypur dhe asfiksuar në një tribunë të tejmbushur.
Pas këtij momenti, ai iku nga stadiumi “Anfilld”, por më pas u bë trajner i Blekbërnit duke e fituar edhe aty titullin kampion më 1995.
Por, këto çaste të lavdishëm tashmë janë prapa. Për ta shpëtuar këtë herë nuk mjaftoi Kupa e Ligës fituar në “Uembli”. Gjithsesi, tifozët e Liverpulit do ta quajnë gjithnjë legjendën e tyre më të madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›