E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania e Madhe mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë, bën thirrje për dialog politik

Ministri britanik për Evropën, David Lidington, shprehet se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Ai e konsideron këtë një realitet të pakthyeshëm, por përpos kësaj, bën apel për dialog mes forcave politike. Këto komente ministri Lidington i bëri gjatë një interviste për programin në shqip të BBC-së. Ai e konsideroi të papranueshme situatën aktuale, duke theksuar se bojkoti i opozitës po dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Kjo situatë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ajo që është më e rëndësishme, po bllokon disa reforma jetike që janë në interes të popullit shqiptar. Britania vazhdon të mbështesë fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë, por që kjo perspektivë të përmbushet, duhet vullnet politik si dhe shumë energji për të plotësuar kushtet e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”- u shpreh ministri britanik, duke theksuar se palët politike duhet të inkurajojnë rrugën e integrimit dhe për këtë të plotësojnë detyrimet e Brukselit.


Zoti Lidington, a mendoni se do të ketë një integrim në grup të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo do të jetë një proces me disa valë, sipas meritave të secilit vend? Mendoj se do të ketë një seri programesh individuale, vend pas vendi, sepse paketa e reformave që kërkohet, ka veçoritë e veta në secilin vend. Mund të ndodhë që disa vende të anëtarësohen në Bashkimin Evropian njëkohësisht. Por, unë sigurisht nuk mund të them se çdo vend duhet të presë derisa të bëhen gati gjithë të tjerët. Gjithsesi, Britania dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të hedhin hapa për një anëtarësim sa më të shpejtë.


Si e vlerësoni situatën e krijuar nga ngërçi politik në Shqipëri? Ne jemi shumë të shqetësuar nga vazhdimi i ngërçit politik mes qeverisë shqiptare dhe opozitës. Kjo situatë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ajo që është më e rëndësishme, po bllokon disa reforma jetike që janë në interes të popullit shqiptar. Britania vazhdon të mbështesë fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë, por që kjo perspektivë të përmbushet, duhet vullnet politik si dhe shumë energji për të plotësuar kushtet e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne shpresojmë që forcat politike në Shqipëri të gjejnë një rrugëdalje nga ky ngërç. është shumë e rëndësishme që dy apo tre forcat politike të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që duhet mbështetur në parimin e transparencës dhe kushtetutshmërisë. Zoti ministër, ju e keni quajtur integrimin e Ballkanit Perëndimor si një test me letër lakmusi për bashkëpunimin evropian në fushën e politikës së jashtme. A do të jetë i suksesshëm ky test? Shpresoj që të jetë i suksesshëm. Nuk do të ishte mirë për të gjithë Evropën nëse, politikisht, nuk do të arrinim të hidhnim hapa në Ballkan. është në interesin e Mbretërisë së Bashkuar dhe, sigurisht, edhe të Bashkimit Evropian që të mos lejojmë rikthimin e tensionit etnik dhe trazirave në këtë rajon. Ne duhet t’i mbështesim qeveritë e rajonit që këto vende të konsolidojnë stabilitetin politik dhe respektimin e shtetit ligjor dhe të hedhin hapa për pajtimin etnik. Gjithashtu, duhen kryer disa reforma politike, administrative dhe ligjore, në mënyrë që këto vende të zënë vendin e tyre në zemër të familjes evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›