E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: I pa zëvendësueshëm roli i gruas në shoqëri – politika bllokoi statusin

25-03-2012 / Gazeta 55

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje Konventën e Lëvizjes së Gruas për Integrim të Tiranës

“Koncepti i LSI-së për peshën e gruas nuk është slogan për të qenë në unison me retorikën për shanse të barabarta, por për interesin që LSI ka për rolin e pazëvendësueshëm të gruas në shoqëri”.
Ky ka qenë dhe premtimi i qindrave grave dhe vajzave të LGI-së së Kryeqytetit të cilat në një takim mjaft entuziast të zhvilluar tek Teatri i Operës dhe Baletit (TOB) u angazhuan për një ritëm të ri të strukturave të LGI-së. 600 delegate të zgjedhura nga strukturat e LGI-së në 11 njësi bashkiake po votojnë sot për të zgjedhur kryetaren e Lëvizjes së Gruas për Integrim të Kryeqytetit. Kandidaturat për këtë post janë Monika Kryemadhi dhe Eris Zaimi.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh se “LSI do të paraqitet para çdo sfide që do t’i dalë dhe do t’i fitojë ato sepse në themel të kësaj force politike qëndron ajo energji pozitive për të cilën ka nevojë Shqipëria për të ecur përpara, për tu afruar më shumë me BE-në”.
Ai akuzoi politikën shqiptare se ka penguar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, ashtu siç u tentua edhe bllokimi i liberalizimit të vizave 2 vjet më parë. Meta tha se nuk kanë qenë kriteret ekonomike apo përafrimi i legjislacionit ato që kanë penguar marrjen e statusit, por për fat të keq ka qenë vetë politika.
“Dua t’ju kërkoj të gjithave ju sot për të kujtuar atë debat të jashtëzakonshëm në një nga sfidat më të mëdha që ne kishim para 2 vitesh në përpjekjen tonë për të vënë dinjitetin dhe lirinë e merituar të qytetarëve shqiptarë për tu ndierë si qytetarë europianë, pra për të rrëzuar murin e vizave, 20 vite pas rrëzimit të murit të Berlinit. Ju e dini shumë mirë se çdo të thoshte dhe se çdo të thotë që t’i krijosh mundësinë një nëne që të ikë pa u rropatur për të nxjerrë një vizë në ambasadat e huaja për tu takuar me djalin e saj apo qoftë edhe për një vizitë mjekësore jashtë vendit. Sa ishin ata të cilët jashtë Shqipërisë por për fat të keq edhe brenda nesh ishin të shqetësuar se po të hiqeshin vizat me qindra mijëra shqiptarë nuk do të ktheheshin më por do të kërkonin azil në Europë, duke u përpjekur për të nxirë imazhin e vendit në mënyrë të padrejtë dhe duke un përpjekur për të gjetur aleatë ata të cilët janë të gatshëm për të ndëshkuar shqiptarët në mënyrë të padrejtë qoftë edhe në emër të parimeve evropiane. Pas më shumë se një viti, që nga momenti kur të gjithë qytetarët e Shqipërisë fituan këtë të drejtë për të udhëtuar në vendet e hapësirës “Schengen” pa viza, shqiptarët dhe shqiptaret treguan se janë qytetarët tërësisht të denjë europianë për të përmbushur të gjitha detyrimet që buronin nga një fitore e tillë e marrë me shumë mund dhe me shumë sakrifica. Shqipëria dhe shqiptarët janë sot nga më të vlerësuarit për sjelljen e tyre evropiane në raport me këtë të drejtë të fituar me merita. Kjo mund të thuhet sot edhe për statusin e Vendit Kandidat. Shqipëria jo duhet të marrë këtë status por duhet ta kishte marrë. Pengesë për këtë ka qenë vetëm politika, nuk kanë qenë as kriteret ekonomike ku Shqipëria është vlerësuar vazhdimisht për reformat që ka ndërmarrë, nuk ka qenë as përafrimi i legjislacionit ku është bërë një punë e jashtëzakonshme por për fat të keq ka qenë politika e papërgjegjshme e cila në vend që të japë kontributin pozitiv përpiqet të gjejë pretekste për të vonuar një proces i cili ka të bëjë me një aspiratë mbarëkombëtare dh aspak parciale apo partiake. Ndaj kemi nevojë për të ndërtuar një Shqipëri pozitive, kemi nevojë për të ushqyer  këtë Shqipëri pozitive me dashurinë e nënave dhe të vajzave të Shqipërinë në radhë të parë sepse janë ato që sakrifikojnë dhe që vuajnë më shumë për të përballuar edhe kostot e jetës së përditshme, edhe vështirësitë ekonomike apo sociale të cilat janë jo vetëm për arsye objektive por një pjesë e të cilave vijnë nga tensionimet e panevojshme politike”, u shpreh Meta.
Ai shprehu zotimin e forcës politike që drejton, për Shqipërinë Evropiane dhe Shqipërinë e zhvilluar.
Kreu i LSI-së u ndal edhe në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, që sipas tij është një vit historik për vendin, ku duhen kujtuar patriotët e mëdhenj, rilindësit e shquar, të cilët sollën vetëdijen e domosdoshmërisë për ta shpallur pavarësinë, për ta bërë fakt të kryer, e për t’u dhënë fund padrejtësive historike ndaj vendit tonë.
“Ne jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe të shtetit, jemi në një vit historik jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë kombin tonë. Jemi në një vit ku të gjithë hedhim vështrimin pas për të kujtuar të gjithë ata patriotë të mëdhenj, ata rilindës të shquar të cilët sollën vetëdijen e domosdoshmërisë për të shpallur Pavarësinë, për ta bërë ata një fakt të kryer dhe për t’i dhënë fund padrejtësive historike ndaj kombit tonë. Në këtë 100-vjetor të gjithë do të përkulen me nderim në Vlorë, jo vetëm përpara veprës së Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit por të gjithë do të kujtojnë duart dhe zemrën e Marigosë që qëndisi atë flamur dhe dashurinë e përkushtimin e të gjitha vajzave e grave për dekada të tëra për forcimin e shtetit tonë. Të gjithë do të kujtojmë me nderim dhe respekt jo vetëm të gjithë ato gra dhe vajza që ishin pjesë aktive e rilindjes kombëtare dhe që bënë aq shumë për gjuhën dhe kulturën shqipe, do të kujtojmë jo vetëm motrat Qiriazi por edhe Margarita Tutulanin dhe qindra e mijëra heroina të tilla të cilat në lulen e rinisë së tyre dhanë jetën e derdhen gjakun për lirinë e Shqipërisë, për Pavarësinë e Shqipërisë, për të ardhmen e saj. Do të kujtojmë të gjithë ato vajza dhe gra të cilat hodhën hapa të jashtëzakonshme të emancipimit shoqëror duke i dhënë fund izolimit të gruas dhe të vajzës shqiptare duke u ndeshur me zakonet e prapambetura të së shkuarës dhe duke marrë pjesë aktive në rindërtimin e Shqipërisë, në ndërtimin e hekurudhave, në ndërtimin e hidrocentraleve, në të gjithë atë progres ku ne patëm edhe një çlirim shumë të rëndësishëm shoqëror nga zgjedha e së kaluarës dhe e zakoneve të saj”, tha më tej ai.
Meta shprehu keqardhje që gjatë diktaturës së kaluar shumë prej viktimave të saj për fat keq ishin shumë prej vajzave, grave, intelektualeve të Shqipërisë të cilat mund të kishin dhënë një kontribut shumë të madh për progresin e vendit.
“Ne jemi sot për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjitha ato studente të dhjetorit por edhe për të gjitha vajzat dhe gratë e Shqipërisë të cilat përkrahën ndryshimet demokratike por ishin edhe të parat që përballuan edhe një kosto të jashtëzakonshme sociale të reformave”.
Gjithashtu, Meta premtoi se LSI do mbështesë çdo iniciativë ligjore që forcon pozitat e gruas dhe të vajzës shqiptare që nga Kodi Zgjedhor i cili duhet të reflektojë kërkesat e të gjithë shoqatave paraqitur Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe gjithçka tjetër.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›