E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Berat: Më në fund e riktheva PS-në në Parti të Punës

25-03-2012 / Gazeta 55

Kujton rregullat dhe ndëshkimet për ata që s’i binden kultit të kryetarit. Me Islamin kërcënoi Braçen, ndërkohë që Blushin e paralajmëroi se është kandidat për armik. Me sjelljen ndaj Nanos, Meidanit dhe të tjerëve, Rama përmbyll procesin e bunkerizimit të partisë dhe shndërrimit të saj në levë të kryetarit, pa platformë e ideale kombëtare, njëlloj si Partia e Punës

Turi më i fundit i Edi Ramës nën pretekstin e anëtarësimeve të reja në PS, përveç shifrave të fryra të këtyre “aderimeve”, duket se ka si qëllim kryesor përcjelljen e mesazheve kërcënues për “zërat kundër” në parti.
Këtë e ka konfirmuar më së miri, jo më larg se dy ditë më parë në Berat, ku prej nga takimi i zakonshëm me anëtarët e rinj ju ka kujtuar atyre rregullat dhe ndëshkimet për ata që s’i binden kultit të kryetarit.
“Në PS ka rregulla dhe kush thyen këto rregulla të takojë Erion Braçen dhe t’i kërkojë adresën e Kastriot Islamit, dhe më pas të shkojë në Tiranë e të takojë Kastriotin për të mësuar se çfarë ndodh kur dikush thyen normat dhe rregullat e PS”, ka qenë “shakaja” e Edi Ramës me një të ri të sapo anëtarësuar në PS.
Me këtë “batutë”, si te ajo fraza popullore, “i bie pragut të dëgjojë dera”, ndërsa “mesazhi” është lëshuar në prani të Erion Braçes, gjetkë e kishte qëllimin dhe objektivin.
Erion Braçe, si ai “kali që zihet në lëmë e vihet për të shirë”, tentoi me prezencën e dy ditëve më parë në Berat të demonstronte forcën dhe mosbindjen e tij ndaj vendimit të Edi Ramës për ta katapultuar (Erion Braçen) në Korçë. Jo aq sa Erion Braçe mund të trembë ndokënd me forcën dhe mosbindjen e tij, se sa me faktin se ai i dha Edi Ramës një mundësi për tu bërë “tabelë qitje” e shkrehjes së mesazheve kërcënuese nga ana e kryetarit të PS-së, që prej dy ditësh ai (Erion Braçe) është bërë vërtetë faktor..., por si kandidat për “të ndarë të njëjtin fat” me Kastriot Islamin.
Ndërkohë, nga ana e tij Edi Rama është në rregull, për aq sa nuk ia mban që, bie fjala, “shakanë” e dy ditëve më parë në Berat “ta kishte shtyrë” e ta artikulonte dje në Korçë në prezencë të Ben Blushit, por zgjodhi Beratin, më saktë Erion Braçen, i cili “u gjend në vendin e gabuar, në momentin e gabuar”, për tu mbarsur me mesazhin kërcënues për “ndarjen e të njëjtit fat” të mundshëm me atë të “gogolit” Kastriot Islami.
Ndërsa me Kastriot Islamin, Edi Rama kërcënoi Erion Braçen, njëherazi, nëpërmjet “shakasë” së tij, ai i ripërsëriti Ben Blushit paralajmërimin se vazhdon të jetë kandidat për armik.
Sjellja më e fundit në formë “shakaje” e Edi Ramës në Berat, pavarësisht “gjetjes” së tij për ti përcjellë mesazhet kërcënuese “zërave kundër” në parti, realisht nuk ka ndonjë farë rëndësie përballë faktit se, që prej rreth shtatë vjetësh që ai drejton PS-në të gjitha “shakatë” i ka bërë dhe i bënë në funksion të spastrimit të partisë. Këtë e ka bërë më herët, me sjelljen e tij ndaj Fatos Nanos, Rexhep Meidanit..., së fundmi edhe Kastriot Islamit, etj..., etj. Kështu që, në se do i shtohen Erion Braçe e Ben Blushi kësaj liste, apo edhe të tjerë emra mund të jetë thjesht dhe vetëm çështje kohe, “procesi” merr rëndësi të madhe, për aq sa Edi Rama në përmbyllje të tij (“procesit”), synim dhe objektiv final ka bunkerizimin e partisë dhe shndërrimin e saj në levë të kryetarit, pa platformë e ideale kombëtare, njëlloj si Partia e Punës...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›