E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ngërçi i opozitës vonoi integrimin, Shqipërisë i duhet një president me integritet”

25-03-2012 / Gazeta 55

Intervista/ Flet Ilir Meta, kryetari i LSI-së

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta fajëson opozitën për vonesat e shkaktuara në procesin e integrimit të vendit. Gjatë një interviste televizive për ABC News, Meta tha se statusi i vendit kandidat do të ishte marrë para dy vitesh po të mos kish qenë bojkoti dhe bllokimi i parlamentit nga Partia Socialiste. Megjithatë ai e sheh si inkurajuese punën e muajve të fundit, drejt plotësimit të 12 rekomandimeve të Brukselit.
Ndërsa theksoi se janë të gjitha mundësitë që brenda këtij viti Shqipëria të marrë përgjigje pozitive për kërkesën e statusit.
“Ju e dini se prej 2 vitesh opozita nuk votoi ligjet. Ligjet me 3/5 qëndruan prej 3 vitesh në pritje të votës së opozitës. Çdo ditë duhet fituar. Edhe pse politika e BE për zgjerimin vazhdon, përsëri nuk është më ai vullnet i para 3 viteve, pasi dhe unioni ka problemet e veta dhe natyrisht që interesi nuk është një interes i jashtëzakonshëm që ne mendojmë. Megjithatë reagimet e fundit të Fyle, Mirel dhe Sannino tregon që interesi i BE është evident, veçse duhet përshpejtuar kursi i reformave. Natyrisht që ka një progres dhe kohët e fundit ka nisur një angazhim politik, një dialog dhe konsensus në miratimin e ligjeve dhe janë miratuar disa kode të rëndësishme. Janë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë statusin kandidat këtë vit. Kur ne nuk bëjmë asgjë, ka në Bruksel edhe nga ata që u pëlqen kjo dhe argumenti i tyre në këtë rast është se ‘s’ka problem, presin këta’”, u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të forcës politike që drejton në heqjen e imunitetit, si rruga më e mirë që Shqipëria t’i tregojë Brukselit se lufta kundër korrupsionit mbetet primare.
“Ne jemi të gatshëm për heqjen e imunitetit. Është çështje vullneti. Nëse binden ekspertët e të dy palëve që kjo mund të bëhet duke respektuar kushtetutën, atëherë le të bëhet, nëse jo, atëherë le të ndryshojmë edhe Kushtetutën. Mazhoranca ka vite që është angazhuar në këtë proces, ka bërë edhe dorëzime vullnetare, por më e rëndësishme është që të dy palët e politikës të gjejnë rrugën e duhur, në prani edhe të ekspertëve ndërkombëtarë. Në luftën kundër korrupsionit, heqja e imunitetit do ishte një përgjigje madhore, për të ecur më shpejt në drejtim të përmbushjes së reformave dhe afrimit të vendit me Bashkimin Evropian”, tha ai.
Duke u ndalur te diskutimet e reformës zgjedhore, Meta kërkoi që dy partitë e mëdha, PD dhe PS të tregohen të sinqerta.
“Ne jemi të hapur për të respektuar barazinë e votës. Këtu format janë të ndryshme, të dyja palët duhet të jenë të sinqerta në diskutimet e çështjeve teknike të sistemit. Thelbi është proporcional/rajonal. Propozimet e politikës, përfaqësuesve të politikës, me me 6 apo 10 zona, janë alternativa që varen nga vullnetet”.
Administrimi i KQZ për Ilir Metën mbetet një çështje e hapur dhe i takon partive politike të përcaktojë formulën.
“Nëse pranohet një formulë e administrimit teknik me përfaqësues jo-politik, ne si LSI jemi të gatshëm ta mbështesim si ide dhe alternativë”.
Meta komentoi edhe pozicionin politik të LSI në zgjedhjet e 2013-ës, duke deklaruar se më 8 maj Koalicioni i Integrimit doli i suksesshëm.
“8 maji e tregoi shumë qartë. Vendimi i marrë nga LSI është i mirëkuptuar, një veprim normal që bëhet edhe në vendet e tjera evropiane demokratike”, tha më tej Ilir Meta. Zgjedhja e presidentit ishte një tjetër tematikë e prekur nga kreu i LSI.
Sipas tij, Shqipërisë i duhet një president mbi palët dhe që respekton Kushtetutën.
“Në çdo rast, të kemi një president me integritet. Të kemi një president që të qëndrojë mbi palët politik. T’i bashkojë sa më shumë palët dhe të përfaqësojë jo vetëm një autoritet kushtetues, por edhe moral. Ajo që mua më shqetëson me qëndrimet e opozitës, lidhur me atë se si duhet të jetë presidenti, shumë prej kolegeve opozitare kanë një perceptim të gabuar se, nëse presidenti propozohet nga mazhoranca, mund të përdoret prej saj dhe nga ana tjetër duam me patjetër një president që të krijojë konflikte me mazhorancë. Kjo është e gabuar. Presidenti duhet të bashkëpunojë me të gjitha palët dhe t’i bashkojë ato sa të jetë e mundur”, theksoi kreu i LSI-së.
Meta foli dhe për formimin e forcave të reja politike, ndërsa u ndal dhe në pretendimet e drejtuesve të tyre se do i marrin elektoratin partive të mëdha.
Sipas tij, nuk ekziston asnjë shqetësim i tillë, por për këto forca të reja, e rëndësishme është që programet dhe platformat e tyre politike t’i kenë të kohës dhe në përputhje me perspektivën e vendit si faktor paqeje në rajon dhe integrimit në BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›