E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Incidenti i ushtarëve grekë, akt skandaloz dhe i dënueshëm

Ministria e Jashtme ka reaguar pas thirrjeve antishqiptare të ushtrisë greke duke e cilësuar si akt skandaloz dhe të dënueshëm. Zëdhënësi i kësaj ministrie në një deklaratë për shtyp thekson se Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta e dënon incidentin e ushtarëve grek dhe e konsideron atë një akt skandaloz dhe të dënueshëm.
Zoti Ilir Meta, nënvizon Zëdhënësi, insiston në domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe thekson se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme shpreh indinjatën e thellë për ngjarjen e rëndë e cila vjen në kundërshti të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, bën të ditur Zëdhënësi i MPJ, vlerëson gatishmërinë e autoriteteve greke për t'u distancuar nga kjo ngjarje skandaloze dhe mirëpret angazhimin e menjëhershëm dhe konkret nga ana e tyre për t'u dhënë autorëve ndëshkimin e merituar, jo thjesht dhe vetëm për të dënuar autorët e ngjarjes së rëndë, por që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›