E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Iniciativat për Kosovën, në bazë të Kushtetutës

Kreu i LSI Meta, ka uruar të gjithë shqiptarët për Festën e Pavarësisë. Meta shprehu dhe qëndrimin e tij për planin 6 pikësh të Ban Ki Mun. ku tha se çdo iniciativë ndërkombëtare për Kosovën duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës 

TIRANE- Kryetari i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Ilir Meta, në një konferencë për shtyp ka uruar sor të gjithë shqiptarët për Festën e Pavarësisë. Gjithashtu Meta ka falënderuar të gjithë ata qytetarë që kanë marrë pjesë ditën e djeshme në protestën e kësaj force politike, për mbrojtjen e votës së lirë.
Kreu i LSI-së ka shprehur kënaqësinë e tij që ky 28 Nëntor festohet jo vetëm në Tiranë, por festohet nga të gjithë shqiptarët e Kosovës, për herë të parë në një Kosovë të pavarur.
Në këtë pike Ilir Meta ka shprehur edhe qëndrimin e LSI-së për planin 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.
Ai u shpreh se çdo iniciativë ndërkombëtare për Kosovën duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, deklaratën e Pavarësisë dhe Planin e Veprimit në Bashkimin Evropian..

“Ne besojmë se pavarësia e Kosovës është dhe duhet të jetë e pakthyeshme, dhe kjo është e vetmja rrugë edhe për stabilitetin e rajonit. Ne kemi vlerësuar dhe kemi mbështetur Planin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Presidentit Ahtisari për Kosovën, dhe institucionet kosovare kanë punuar në përputhje me këtë plan deri tani”, tha Meta.

Më tej kreu i LSI-së Ilir Meta në fjalën e tij shtoi se “vetëm iniciativat që shkojnë në përputhje me sovranitetin e institucioneve të Kosovës dhe, njëkohësisht, me rrugën e saj tashmë të përcaktuar për integrimin evropian, mund të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit, edhe të Kosovës, edhe të rajonit tonë, sepse është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”. (A.R/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›