Ja cila është dëshira e zonjës Ameti...

“Vetëm, jemi të padukshme... Së bashku,bëhemi të patundshme”. Kjo ishte motoja e Kongresit të Shoqatës Botërore “Gruaja Drejtuese në Biznes”, i cili. u mblodh para një muaji në Bruksel, nën kryesinë e zonjës Françoise Fonig (Kamerun), Kryetare aktuale, dhe me kujdesin e zonjave Mishelinë Brikle, Kryetare për Belgjikën, e Miriam Mysëbua, Kryetare për Brukselin. Për herë të parë që nga themelimi i Shoqatës Botërore më 1945, sivjet u ftua të merrte pjesë në punimet e Kongresit edhe një grua shqiptare, drejtuese e bizneseve të saj.
Në mbrëmjen gala të ditës së fundit, ishte parashikuar parakalimi i flamurëve të vendeve pjesëmarrëse në Kongres. Sipas renditjes alfabetike, zonjës Fatime Ameti, biznesmenes së ftuar shqiptare, me prejardhje nga Presheva, i takoi të parakalonte në radhën e germës “k” (Kosova). Ndryshe nga pararendëset, duke nxitur habinë e të gjithëve, ajo u shfaq para tyre dhe kamerave të shumta televizive me dy flamurë: me Flamurin Shtetëror të Kosovës dhe me Flamurin Kombëtar të Shqiptarëve.
Për të pranishmit që e njihnin historinë e kombit tonë, çasti, ndonëse befasues, ishte edhe tejet emocionues. Për të tjerët, shpalosja e dy flamurëve u bë interesante, në mos po e çuditshme, veçanërisht për shtypin e huaj. Zonja Ameti ua shpjegoi të interesuarve veprimin e vet: “Si kosovare, tha, ndihem e detyruar të respektoj vendlindjen time, Kosovën, tashmë shtet i lirë e i pavarur. Si shqiptare më thërret kushtrimi i të parëve që luftuan për Liri e Pavarësi nën hijen e flamurit tonë kombëtar, simbol i bashkimit të vëllezërve të një gjaku”. Prejardhja e zonjës Ameti nga Presheva, troje etnike jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë e të Kosovës, i dhuroi asaj rastin e rrallë e fatlum të bëhej interprete e drejtpërdrejtë e ëndrrës së stërlashtë shqiptare, atë të bashkimit shpirtëror e fizik të të gjithë atyre që flasin shqip, që mendojnë shqip dhe që u rreh zemra shqip. Ajo pohoi pa mëdyshje një kërkesë të ligjshme që na e kanë mohuar padrejtësisht qorrsokakët e historisë.
Pasi ka kryer studimet e larta teknike, Fatime Ameti ka punuar në Televizionin e Prishtinës, kryesisht në fushën e informatikës. Me mbylljen e Televizionit më 1990, iu desh të shpërngulej në Belgjikë, ku jeton edhe sot e kësaj dite. Në emigracion, e përqendroi veprimtarinë e vet në fushën e shitblerjes së pasurive të patundshme (immobiliere). E gjallë dhe e vullnetshme, punëtore e palodhur dhe e kudondodhur, zonja Ameti eci përpara në biznesin e vet të vogël, duke shtuar, më pas, numrin e shitblerjeve. Jo vetëm kaq. Me nuhatjen e mprehtë që e karakterizon, ajo arriti të kuptonte se tregu i Belgjikës është i etur për vlera tradicionale, qoftë në fushën e objekteve të artit, qoftë në atë të përdorimit të përditshëm. “Kur shoh një tryezë të gdhendur artistikisht, një raft apo gjithçka tjetër të bukur, të dalë nga dora e njeriut, por të lënë pas dore nga njerëz të papërgjegjshëm, mua më djeg në shpirt”, thotë Fatimja. “Shpesh braktisen si pa të keq orendi të tilla të rralla ose nxirren në treg me çmime qesharake, ndonëse mjeshtri, dikur, ka lënë në to një pjesë të vetes. Sa kohë, vallë, e sa mund i është dashur atij për ta vënë dhuntinë e vet në shërbim të tjerëve? A është e drejtë sot, në kohën e industrializimit dhe të standardizimit të jetës, ta lëmë pas dore e ta përçmojmë një orendi të tillë, paçka se ngjan e vjetruar? Nuk duhet harruar se dikur ajo ka qenë e bukur dhe u ka shërbyer paraardhësve tanë dekada përpara. Pse të mos e sjellim sërish në gjendjen e përparshme, kur nuk do shumë mend e shumë punë për ta ripërtërirë? E veçanta ka gjithmonë përparësi mbi të zakonshmen. Ajo mbart bukurinë e vet të papërsëritshme në krahasim me të rëndomtën”. Vizitori që ka rastin të njihet me vilën të zonjës Ameti, në Bruksel, hyn në të me mend e del pa mend. Duke ruajtur vlerat e saj arkitekturore të disa dhjetëvjeçarëve përpara, ajo ngjan e ripërtërirë me shijet e me kërkesat e kohës.
Njërën nga sallat e katit përdhes, e ka shndërruar në atelie. Ky, ndoshta, është mjedisi më interesant i gjithë vilës. Pavijoni i kirurgjisë, do ta quaja në mënyrë të figurshme dhe pa asnjë mëdyshje. Atje “të sëmurët” hyjnë të lënduar, mjekohen me kujdes e dalin të shëruar, të ripërtërirë. Nuk di të them në sa metra katrorë shtrihet ajo sallë “shërimi”. Por, po ta krahasoja me apartamentin tim të vogël, nuk do ta teproja të thosha se është sa gjysma e tij. Atje e kalon zonja Ameti një pjesë të mirë të kohës së saj, pa shmangur veprimtarinë kryesore, atë të shitblerjes dhe të riparimit të ndërtesave, që e ka edhe më së shumti për zemër. Është kjo arsyeja që edhe zyrën e ka vendosur përbri, në një nga mjediset e shumta të katit përdhes.
E, megjithatë, veprimtaria e saj nuk përfundon këtu. Zonja Fatime është njëherësh nënë dhe amvisë, kopshtare dhe furnizuese e shtëpisë me gjithçka i duhet një familjeje prej pesë frymësh. Atë e gjen pranë punëtorëve që merren me riparimin e ndërtesave; e gjen në oborrin e vilës, te lulet që i do aq shumë; e gjen në liseun “Molier”, shkollën private shumë të njohur ku ndjekin mësimet fëmijët e saj më të rritur, Edita dhe Valentini; e gjen te violinistja shqiptare, zonja Kimete Bajraktari, ku vogëlushja Vanesa hedh hapat e parë në artin muzikor; e gjen, në fund të fundit, sa në Belgjikë, aq edhe në Kosovë... “Për fat të mirë, thotë nëna biznesmene e katër fëmijëve, tre më të rriturit, tashmë janë të zotët e vetes dhe më japin më tepër kohë t’i përkushtohem pasionit tim të biznesit. Madje, më të madhen, Mirandën, e kam krah të djathtë të veprimtarive të mia në Kosovë, ku ajo ndjek studimet e larta për jurisprudencë”. Kohët e fundit, zonja Ameti ka gjetur hapësirë të mjaftueshme ta shtrijë veprimtarinë në fushën politike dhe në atë sociale. Ajo është kryetare e degës së partisë Aleanca për Kosovën e Re, në Vendet e Beneluksit. “Nuk jam marrë kurrë me politikë, pohon Fatimja, por, në kushtet e reja të zhvillimeve politike e sociale të Kosovës së lirë, nuk mund të qëndroj indiferente. Dëshiroj të jem aktive, duke dhënë kontributin tim modest, edhe se jetoj në Belgjikë. Dhe, siç dihet, këtu gjenden shumë emigrantë kosovarë, një pjesë e mirë e të cilëve i janë drejtuar programit të Partisë sonë”. Veprimtaria e saj më e fundit në renditjen kohore është themelimi i Shoqatës Kosovare “Gruaja Drejtuese në Biznes”, e cila është regjistruar në Shoqatën Botërore gjatë punimeve të Kongresit të fundit, që u mbajt në Bruksel. Në këtë fushë të veprimtarisë, zonja Ameti ka ide interesante, që, siç shpreson ajo, do të tërheqin vëmendjen e institucioneve përkatëse të Kosovës e të Shqipërisë, ndoshta edhe më tej, të Maqedonisë. Them kështu, pasi nuk janë të pakta sot gratë shqiptare që drejtojnë me sukses bizneset e tyre, pavarësisht në cilën anë të kufirit gjeografik e zhvillojnë atë.
E frymëzuar nga shembulli i ish-kryetares së Shoqatës për Belgjikën, Rene Rishard, që mbështet Fondacionin për Kërkime Shkencore Kundër Sëmundjeve Alzheimerit, themeluese dhe drejtoreshë e shkollës ndërkombëtare për estetikë “Lise Loriot”, zonja Ameti thotë se ka disa projekte për t’i zbatuar në Kosovë. Ndër më interesantet, janë dy: ndërtimi në Kosovë i një shkolle për fëmijë të moshave që kanë nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme, si edhe i një shtëpie për burra e gra të moshuara, pranë një spitali të ngritur, po ashtu, me kontributet e saj. Për këtë qëllim, falë kursimeve pesëmbëdhjetë-e-ca-vjeçare, ajo ka blerë një truall të madh ndërtimi në Ajvali, pasi ka kapërcyer, siç tregon, pengesa nga më të pabesueshmet. “Si nënë dhe si amvisë, shpjegon Fatimja, e ndiej më mirë se kushdo se çfarë rëndësie merr për gratë kosovare me fëmijë një shkollë ashtu siç e përfytyroj unë. Kosova ka nevojë të ndërtohet e të rindërtohet, çka parakupton punë, mund e djersë nga të gjithë, burra apo gra qofshin. Dhe, që nëna të jetë e qetë në detyrën e dyfishtë që ka mbi supe, si punonjëse apo si amvisë, duhet ta ketë mendjen të mbledhur për fëmijën. Këtë e kam kuptuar me kohë, qyshe se u ndjeva nënë, kurse këtu, në Belgjikë, e kam provuar vetë, më së miri”.
Edhe në trojet tona etnike, të ngrihen institute humanitare si këto të Perëndimit, ku të përfitojnë njerëzit në nevojë. Ja cila është dëshira e zonjës Ameti.
...