E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Islami s’mund të përjashtohet

Meta e argumenton deklaratën e tij me faktin se ka 21 vite që nuk ka përjashtime në përgjithësi në politikën shqiptare. “Ka 21 vite që në Partinë Socialiste nuk ka ndodhur ndonjë përjashtim i tillë dhe nuk besoj se mund të ndodhë tani. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një figurë shumë të njohur publike, që ka kontribuar për themelimin e PS-së, për reformimin dhe modernizmin e saj”, tha Meta në një prononcim për mediat.

Sipas kreut të LSI-së, “bëhet fjalë për një personalitet të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe  të shumë organizmave të tjera ndërkombëtare dhe të një intelektuali të një niveli të lartë”. “Islami do t’i bënte nder edhe partive më me traditë, socialiste apo socialdemokrate në Evropë”, u shpreh Meta.

Në lidhje me një afrim të z. Islami në radhët e LSI nëse do të përjashtohej nga PS, Meta theksoi: “Nuk dëshiroj të flas në emër të zotit Islami, sepse s’mund ta bëj këtë gjë. Së dyti, s’mund ta besoj që kjo gjë mund të ndodhë. LSI ka statusin e saj për këdo që dëshiron të aderojë. Nuk e kuptoj sesi mund të ndodhë një përjashtim në jetën politike pas 21 vitesh pluralizmi dhe demokracie, aq më tepër në Partinë Socialiste”.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, propozoi dje, në mbledhjen e kryesisë së partisë, përjashtimin e Kastriot Islamit nga grupi parlamentar, pas mungesës së tij në votimin për kandidaturën e Bujar Leskajt për kryetar i KLSH-së.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-12-17 14:36
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›