Topalli: Vendimi i KV konfirmoi praktikën e shqiptarëve për numërimin e votave
Vendimi i Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve për të numëruar votat e hedhura në kutinë e gabuar , një çështje kjo e shumë kontestuar nga opozita, ka marrë mbështetjen e Komisionit të Venecias. Duke iu referuar këtij qëndrimi kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli është shprehur gjatë punimeve të këtij komisioni se konkluzioni i këtij inistitucioni ndërkombëtar për përfshirjen në rezultat të votës së hedhur jo në kutinë e duhur, përbën nje konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave.
Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli mori pjesë në sesionin e radhës të këtij komisioni, i cili miratoi edhe opinionin për Shqipërinë. Duke u ndalur në opinionin e paraqitur nga ekspertët e Komisionit të Venecias Zonja Jozefina Topalli theksoi se ky opinion përbën një dokument ligjor, profesional dhe autoritativ dhe shërben si plan pune në zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet. Në mënyrë të veçantë ajo vlerësoi përqasjen e bërë në këtë opinion lidhur me votat e hedhura jo në kutitë e duhura, çka sipas saj përbën një konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave.
Institucionet në Shqipëri nuk gabuan kur vendosën t`i përfshijnë këto vota në rezultat dhe rasti i “Shqipërisë meriton të shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve”-është shprehur Zonja Topalli.
Presidenti i komisionit Xhani Bukikjo përshëndeti vlerësimet e bëra nga Kryetarja Jozefina Topalli, vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe shprehu gadishmërinë për të vijuar më tej bashkëpunimin. Në këtë takim Zonja Topalli shoqërohej nga bashkëkryetarët e komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore, deputetët Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri.