Buxheti 2012, Basha nis konsultimet me banorët e njësisë nr 5

Ashtu siç kishte paralajmëruar kryebashkiaku i Tiranës Lulëzim Basha ka nisur bisedimet me qytetarët për projektbuxhetin e vitit 2012. Ky proçes ka startuar në njësinë numër 5 të kryeqytetit për tu zhvendosur më pas në njësitë e tjera bashkiake.
Gjatë konsultimeve me të pranishmit Basha ka theksuar se buxheti prej 70 milionë dollarësh do të ketë një shpërndarje të drejtë duke u fokusuar në tre shtylla kryesore; punësim, cilësi të jetës dhe infrastrukturë.
“ Buxheti i përmbahet filozofisë së çdo qytetari. Qyteti fillon nga pragu i derës së secilit prej jush. Tre janë shtyllat kyçe në projektbuxhetin e 2012-tës për Bashkinë e Tiranës, punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura”-tha ai.
Më tej Basha deklaroi se në vazhdim pritet të trefishohen investimet publike, ndërsa u ka premtuar qytetarëve të njësisë 5 për transparencë dhe shpërndarje të qartë të burimeve.
Më herët grupi opozitar i Këshillit Bashkiak është shprehur kundër këtij projektbuxheti duke e cilësuar vlerën e tij një mashtrim politik të zotit Basha.