Meta: Jo maqedonishtes së detyruar për nxënësit shqiptarë
Ministri i Jashtëm maqedonas përkrah regjistrimin në bazë etnie
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, i ka kërkuar homologut të tij maqedonas, Antonio Miloshoski, që nxënësit shqiptarë në Maqedoni kanë të drejtë të mësojnë gjuhën e tyre nga klasa e parë deri në të pestën, ndryshe nga projekti qeveritar që detyron gjuhën maqedonase. Në konferencën e shtypit pas takimit me shefin e diplomacisë së Shkupit, Meta deklaroi se,
“përshpejtimi i zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit është shumë i rëndësishëm. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit promovon zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”. Megjithatë, gjithçka është zhvilluar në kuadrin e një marrëdhënieje normale, pa i ngritur tonet. Por kjo nuk e ka penguar Miloshoskin të bëjë avancë politike në lidhje me regjistrimin e popullsisë, duke u ngazëllyer pasi “kjo gjë do t'i shërbejë dhe identifikimit të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe integrimit të tij në shoqërinë shqiptare”. Në Shqipëri jeton një komunitet i vogël maqedonas në zonën e Liqenasit të Korçës, por një pjesë dërmuese e tyre e cilësojnë veten bullgarë. Në bisedimet e djeshme mes dy ministrave të Jashtëm, është diskutuar gjerësisht: “Enciklopedia maqedonase, imponimi i mësimit të gjuhës maqedonase nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë, si dhe propozimi për ndërtime në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë të disa simboleve maqedonase, që shqiptarët në Maqedoni i shikojnë si projekte të cilat i japin fund Marrëveshjes së Ohrit”. Meta vlerësoi rolin shumë pozitiv që vendi fqinj ka luajtur për stabilitetin e rajonit. Ai veçoi "nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes tyre". Nga ana e tij, ministri Miloshoski siguroi se "Maqedonia do të vazhdojë të punojë, në mënyrë që të bëhet model i një shoqërie multietnike dhe i një demokracie funksionale".Dy homologët ranë dakord për të forcuar më tej konsultimet diplomatike dhe për të shkëmbyer vizita në nivelet më të larta gjatë këtij viti. Nënshkrimi sot i marrëveshjes për bashkëpunim mes dy Ministrive të Jashtme dhe dy akademive diplomatike, sipas ministrit Meta, janë tregues i vullnetit për të intensifikuar më tej konsultimet diplomatike në të gjitha çështjet. Ministri Miloshoski vlerësoi projektin për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, ku shtetasit do të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Ai shprehu bindjen se "kjo gjë do t'i shërbejë dhe identifikimit të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe integrimit të tij në shoqërinë shqiptare"
Berisha
Në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të qeverisë theksohet se “Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, rikonfirmuan vullnetin e të dyja qeverive për përpjekje të përbashkëta, edhe me partnerët europianë, për të nxitur ecjen përpara të projektit Korridori 8, për të ndërtuar linjën e transmetimit dhe interkonjeksionit elektrik që do të lidhë të dyja vendet, për krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit të kufijve dhe atij doganor, si dhe për përditësimin e marrëveshjeve ndërkombëtare midis të dyja vendeve për ujërat ose basenet, ku, si pasojë e ndryshimeve klimaterike, edhe e ngrohjes globale, është kthyer në domosdoshmëri rishikimi i protokolleve të nënshkruara më parë midis të dyja vendeve”.
#