E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti nxjerr eshtrat Tirana mbyll kutitë

Kur Dajti mbi kryet e Tiranës, po nxjerr nga barku i tij sekretet e pushkatimeve të Diktaturës, e si një Perëndi mbi kryeqytetin shqiptar herë pas here lëshon ndonjë sinjal, Tirana zyrtare, këto ditë, po përjeton orët më qesharake në politikën e saj: Të hapen apo jo kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Energji të panumërta, përqendrim i plotë vëmendjeje në çështjen e Krizës që ka bllokuar vendin që pas zgjedhjeve e që si ortek po rrëmben me vete përditë ekonominë, ndjenjat, psikologjinë e familjeve shqiptare. Shqiptarët nuk po e perceptojnë Shtetin se Shteti ka muaj që nuk është më në shërbim të tyre. Të gjitha forcat janë përqendruar në: A do të futet PS në Kuvend dhe në do të pranojë Sali Berisha të hapë kutitë. Personalisht kam besuar dhe besoj se çelësi i zgjidhjes se një krize është gjithmonë në dorë të mazhorancës, dhe pikërisht në dorën e Berishës si personifikimi fizik dhe ideologjik i saj. Kutitë duhen hapur dhe mbi këtë koncept primar, embrional të transparencës dhe të lirisë duhet të bisedohet gjithçka. Kutitë e mbyllura dhe aq më tepër, mungesa patologjike e vullnetit për t’i hapur ato, janë më keq se misteret e të ekzekutuarve pa varre të kohës së diktaturës, që sot, kryeministri Berisha me të drejtë kërkon t’i zbardhë. Kutitë e mbyllura në Demokraci, do të ishin më turp se goja e mbyllur e kohëve të dikaturës, sepse janë të tjera mistere që i shtohen këtij vendi me drejtësi përgjithësisht të vonuar. Një pjesë e mirë e shqiptarëve pyesin: A ishte “Hapja e Kutive” një deus ex machina e Partisë Socialiste? Mendoj se po. Ashtu siç besoj në papjekurinë politike të lidershipit të saj dhe në dëmin që i shkaktoi elektoratit socialist së pari, por dhe gjithë vendit që sot ka një qeverisje të sajuar nga llogaritjet e interesave dhe pazareve më shumë se nga vota e shqiptarëve. Keshtu me këtë deus ex machina të Kutive, z. Rama kërkon të rekuperojë atë që në bashkëpunim me të besuarit e tij para zgjedhjeve neglizhoi.Shqiptarët po vuajnë sot mëndjelehtësinë e opozitës së para zgjedhjeve, mendjelehtësie që pagoi, por më shumë kokfortësinë, mostolerancën, mungesën e civilizimit të mazhorancës, që për arsye misterioze nuk kontribuon të hapë kutitë.Ndërkohë, përditë, individë të dëshpëruar, gjithmonë e më shumë, për të patur pak vëmendje, ndihmë, solidaritet, bëjnë apele në media. Shqiptarë nga Shqipëria dhe nga katër anët e botës solidorizohen për të lehtësuar sado pak dhimbje ekstreme e histori sëmundjesh që zakonisht në vende të civilizuara kanë 70 deri në 90 përqind mundësi shërimi, por që në vendin tonë jemi akoma në përqindjen 0. Cdo problem merr një zgjidhje vetëm nëse mbi të përqendrohen energji, asgjë nuk kalon në rrjedhën e natyrshme që duhet të marrin problemet aty ku ekziston Shteti. Pushteti në Tiranë po bën në këto kohë atë që ka treguar se di ta bëjë më mirë: shkërmoqjen deri në embrion të strukturave të brishta, të pavarura shtëtërore. Dhe në këtë mision të tij, siç u ndihmua Enver Hoxha në rrugëtimin diktatorial, ka në dispozicion mehmetshenjte, adilçarçanët, ramizalinjtë, hysnikapot që kanë qenë gjithmonë me shumicë e që Shqipërisë i kanë bërë veçse dëm.(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›