Skenari rezervë për krizën, zgjedhjet e parakohshme

Nëse dështojnë negociatat, shumica mund të përdorë planin B
Mund të shfrytëzohet liberalizimi i vizave
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një prej skenarëve të artikuluar si zgjidhje në kuadër të krizës politike ku është përfshirë Shqipëria që prej 28 qershorit 2009. Ndonëse ajo çka pritet të ndodhë është kryesisht e paparashikueshme, nisur nga pozicionet e dy kampeve në pozitë dhe opozitë, kalimi drejt zgjedhjeve nuk përjashtohet. Koha ideale se kur mazhoranca aktuale mund të kalonte drejt zgjedhjeve në mënyrë të vullnetshme është kalimi në zonën pa regjim vizash, diçka që pritet të ndodhë nga mesi i vitit. Sakaq, në historinë e zgjedhjeve pluraliste, Shqipëria ka dy precedentë të mëparshëm kur është kaluar drejt zgjedhjeve parakohe.
Opozita ka artikuluar qartazi qëndrimin se nuk lëshon aspak në kërkesën për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në krahun tjetër, mazhoranca këmbëngul se nuk do të lejojë që politika të diskutojë mbi vendimet e gjykatave, duke iu referuar atyre akteve të lëshuara nga Kolegji Zgjedhor. Por, përballja e këtyre dy rrymave krejtësisht të kundërta mund të krijojë një situatë të rrezikshme destabilizuese për vendin, siç është paralajmëruar edhe në rezolutën e miratuar së fundi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Një opsion i cili ka qarkulluar prej kohësh në korridoret politike është ai kur mazhoranca nuk do të pranonte të hapeshin kutitë, as në mënyrë selektive, duke preferuar të kalonte drejt zgjedhjeve të parakohshme. Shumica mund të shfrytëzonte vendimin e pritshëm të Brukselit për liberalizimin e vizave (çka pritet të ndodhë në mes të vitit, në rastin më të keq në fundvit) dhe të shpallte kalimin drejt zgjedhjeve. Një aleancë mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe “asi” nën mëngë që është liberalizimi i vizave, mund të ishin arsyet e mjaftueshme që Sali Berisha të pretendonte një fitore, duke e shtyrë mandatin e tij deri në 2014 ose 2015, në varësi të zhvillimit të zgjedhjeve. Sakaq, lideri i opozitës, Edi Rama, do të realizonte një synim të tijin, për të shkuar drejt zgjedhjeve pa u konsumuar mandati i dytë plotësisht nga koalicioni PD-LSI.
Në historinë pluraliste të Shqipërisë janë mbajtur në total dy palë zgjedhje të parakohshme. Të parat datojnë në vitin 1992. Ishin zgjedhjet e para pluraliste, të mbajtura më 31.03.1991 ato që i dhanë një shumicë dërrmuese PPSH-së dhe Partia Demokratike mbeti në opozitë pak kohë pas krijimit. Fatos Nano ishte Kryeministër që prej 22 shkurtit 1991 deri në 5 qershor 1991. Më pas, nga 5 qershori deri më 11 dhjetor të vitit 1991, mbajti detyrën e Kryeministrit Ylli Bufi. Situata nuk zgjati shumë dhe më 22 mars të një viti më vonë, pra në 1992, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, ku Partia Demokratike mori një fitore të thellë përballë Partisë Socialiste. Më 26.05.1996 u mbajtën zgjedhjet parlamentare të radhës, ku rezultoi fituese në mënyrë të bindshme Partia Demokratike, ndërsa Partia Socialiste u tërhoq nga zgjedhjet. Parlamenti pa opozitën dhe degradimi i situatës politiko-ekonomike çoi në zgjedhjet e parakohshme të 29.06.1997, proces ku rezultoi fituese Partia Socialiste.
#