Meta: Klasa politike të reflektojë para vizitës së komìsionerit Fyle
Kreu i LSI-së, takime në rrethin e Fierit, prezanton opcionet dhe programet e LSI për qeverisje më të mirë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një sërë takimesh në rrethin e Fierit, ku prezantoi opsionet dhe programet e LSI për një qeverisje më të mirë, për një integrim më të shpejtë, për një pjesëmarrje më dinjitoze të gruas në politikë dhe vendimmarrje, për shuarjen e konflikteve, për zhvillimin social ekonomik të vendit. Ai vlerësoi punën dhe rezultatet e strukturave vendore të LSI, entuziazmin, gjallërinë dhe mbështetjen e madhe që po merr ajo në Fier. “LSI është një forcë demokratike, është një forcë që ka prioritet integrimin dhe përfshirjen dhe jo përjashtimin apo largimet. Le t’i themi jo politikës konfliktuale, le t’i themi jo sherreve të së kaluarës, le të kujdesemi më shumë për të rinjtë, le të kujdesemi më shumë për të moshuarit. Të përqendrohemi tek zhvillimi i ekonomisë, tek hapja e vendeve të reja të punës, duke marrë nisma që i garantojnë qytetarëve të ecin më shpejt në rrugën e begatisë”, tha Meta. Sipas Metës, bashkëpunimi dhe ndarja e përgjegjësive do t’i shërbejë më mirë zhvillimit dhe integrimit të vendit. Ai vlerësoi pjesëmarrjen e madhe të grave fierake në takimet që ka zhvilluar, duke e quajtur gruan një forcë të madhe potenciale në zhvillimin e shoqërisë. “Unë jam i bindur se gratë janë forca më aktive, më progresiste, të cilën ne do ta mbështesim. Është kjo arsyeja që LSI në konventën e fundit vendosi përfaqësimin e saj 50 me 50 përqind. Sepse edhe në familje kështu jemi, kështu duhet të jemi edhe në politikë, në vendimmarrje e kudo. Në këtë mënyrë do të bëhet një shoqëri më e hapur, më evropiane, më demokratike dhe më pozitive”, u shpreh Meta. Ai i ftoi forumet lokale dhe anëtarësinë që së bashku ta vazhdojnë këtë punë të mirë, madje ta shtojnë edhe më shumë tempin në këto muaj që kanë mbetur, pasi sipas tij, rritja dhe fuqizimi i LSI, nëpërmjet votës së qytetarëve shqiptarë, është një garanci e domosdoshme për stabilitetin dhe normalitetin e vendit dhe për integrimin e tij më të shpejtë në BE. “Është një garanci dhe mbështetje për një politikë më konstruktive se deri më sot në Kuvend dhe, për një qeverisje më të lidhur me njerëzit dhe problemet e tyre”, tha Meta.
LSI: Miratimi i 3 ligjeve provë serioziteti për politikën/Lëvizja Socialiste për Integrim thotë se vizita e komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fyle ditën e hënë në Tiranë, nuk është rutinore, por është një shans që opozita të marrë përgjegjësitë. Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i kërkoi opozitës të japë votën për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Duhet vlerësuar si një mundësi ekstra, një mundësi e jashtëzakonshme, një zemërgjerësi e paverifikuar kurrë më parë, jo me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera dhe besoj që nëqoftëse Shqipëria vërtetë ka një opozitë të përgjegjshme, thirrja për përgjegjshmëri është pikërisht vizita e zotit Fyle dhe shpërdorimi i këtij shansi do të ishte një përgjegjësi e pariparueshme”- u shpreh Vasili. Ndërsa i pyetur mbi përmbylljen e procesit te ndarjes së mandateve, nënkryetari i LSI-së shprehu kënaqësinë për përfundimin e një procesi të gjatë, të ngarkuar me debate shterpë e konflikte të panevojshme. Sipas tij, LSI ishte që kjo procedurë të realizohej si detyrim që kërkon ligji, por ai fajësoi opozitën, që sipas tij pati kërkesa të paqëndrueshme për këtë çështje, që tani, tha ai, duhet të shihet si i kapërcyer dhe të ecet përpara me përgatitjen e zgjedhjeve. “Partia Socialiste i kishte në KQZ-së votat e nevojshme për të miratuar këtë draft në rast se donte. Ajo mbajti qëndrim kundër dhe i hoqi mundësinë KQZ-së të mbante qëndrimin e vet. Në respekt të ligjshmërisë, Parlamenti dje u shpreh dhe ne sot ne ujemi të kënaqur që kjo çështje u mbyll”- tha ai.
Kreu i PR, takim me strukturat e partisë në Korçë