Numërimi elektronik, KQZ projekt pilot në Fier - verifikim elektronik të kartave në Tiranë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përzgjodhi kompaninë spanjolle INDRA për të vazhduar në fazën e mëtejshme të negociatave për procedurën prokuruese me objekt: “Realizimi i Sistemit Elektronik të Numërimit të votave në Qarkun e Fierit”. Pjesëmarrës në këtë proçedurë kanë qenë 4 kompani; INDRA, kompani spanjolle; Election Sistem & Softëear, kompani amerikane; DRS, kompani angleze dhe SCYTL, kompani spanjolle.
Në përfundim të shqyrtimit të ofertave teknike dhe dokumentacionit administrativo-ligjor të paraqitur nga këto kompani, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përzgjodhi për të vazhduar në fazën e mëtejshme tè negociatave kompaninë spanjolle INDRA.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka filluar dhe po vazhdon negociatat në termat financiare dhe teknike të ofertës së paraqitur nga kjo kompani. Kompania INDRA, në bazë të materialit të paraqitur, është një kompani spanjolle, por me një shtrirje në mbi 30 vende të Evropës dhe botës. INDRA ka eksperiencë të konsoliduar në fushën e menaxhimit të zgjedhjeve si dhe ka realizuar me sukses projekte të ngjashme në fushën e numërimit elektronik të votave, siç janë zgjedhjet për bashkinë e Oslo-s të zhvilluara në Norvegji dhe ato të Londrës të zhvilluara në Angli. Përveç kësaj, KQZ njoftoi se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka hapur procedurën për realizimin e Sistemit Elektronik të Verifikimit të votuesve në qarkun e Tiranës, ku kanë paraqitur ofertat e tyre teknike INDRA, kompani spanjolle; Aleat & Morpho, bashkim kompanish shqiptaro- franceze; Communication Progress, kompani vendase; Proton, kompani vendase; R&T, kompani vendase. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është në fazën e shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave të paraqitura nga këto kompani.