E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noka: Profesionalizëm në menaxhimin e procesit zgjedhor

02-02-2013 / Gazeta 55

Analiza vjetore e Policisë së Shtetit: 2012-a, vit suksesi. Burgaj: “Thellim të masave kundër krimit” 

Policia e Shtetit, zhvilloi dje analizën një-vjeçare të punës së kryer gjate vitit 2012 nga strukturat e policisë në të gjithë vendin për garantimin e sigurisë publike, gjatë së cilës u prezantuan dhe objektivat për vitin 2013. Në këtë aktivitet krahas Drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, ishin të pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, drejtues të institucioneve të tjera ligjzbatuese, oficerë të kontaktit të vendeve të BE-së, etj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, prezantoi një raport përmbledhës analitik mbi veprimtarinë e organizatës së Policisë së Shtetit për vitin 2012, progresin e bërë, dinamikën e saj, përballjen me vështirësitë dhe zgjidhjet e dhëna, si dhe hapat e hedhur drejt zhvillimit e përmirësimit të standardeve profesionale dhe performancës. “Viti 2012 ka qenë një vit i ngarkuar me objektiva të rëndësishme për Policinë e Shtetit por, edhe me aktivitete masive e manifestime kulturore, artistike e politike, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Për përmbushjen e këtyre përgjegjësive janë angazhuar forca të shumta policore, të cilat janë dalluar nga përkushtimi e shpirti i sakrificës, profesionalizmi e përgjegjshmëria e lartë ndaj detyrës” – theksoi z. Burgaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj bëri me dije se “gjatë vitit 2012 janë kryer 962 vepra penale në fushën e drogës ndërsa është kapur tre herë më shumë drogë se në vitin 2011, si dhe  janë sekuestruar 9.2 milionë euro të aseteve kriminale ndërsa asetet e sekuestruar nga pastrimi i parave arrin në shifrën 13 milionë euro nga 7.5 milionë euro që ishte në vitin 2011”.
Në vijim të fjalës së tij z. Burgaj u ndal veçanërisht tek prioritet më të rëndësishme gjatë vitit 2012 si thellimi i masave kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit, ku Policia e Shtetit ka arritur rezultate të kënaqshme për realizimin e këtij objektivi të rëndësishëm, përmes përmirësimeve në infrastrukturë, trajnimit të  personelit, si dhe intensifikimit të punës për goditjen e autorëve e rrjeteve kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me organin e Prokurorisë, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe partnerët ndërkombëtare. “Forcimi i masave parandaluese për garantimin e rendit e sigurinë publike dhe rritja e parametrave të sigurisë rrugore, ku për punonjësit e Policisë së Shtetit viti 2012 ka qenë një vit plot angazhime, për përballimin e të cilave kanë demonstruar shkallë të lartë përgjegjshmërie e profesionalizmi. Gjatë këtij viti, aktivitetet masive kanë qenë të shumta, të cilat për nga rëndësia dhe numri i pjesëmarrësve kërkonin impenjim maksimal nga forcat policore dhe drejtuesit e tyre. Strukturat e policisë së rendit për rritjen e sigurisë dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët janë fokusuar në parandalimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale dhe goditjen e autorëve, duke e vlerësuar si një drejtim parësor të veprimtarisë së tyre të përditshme”- tha ai.

Ministri i Brendshëm, Noka
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka gjatë fjalës së tij në analizën një-vjeçare të punës dhe arritjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cilësoi treguesit e arritur si dëshminë më të mirë të punës dhe përkushtimit të të gjithë efektivëve të policisë, tregues që morën dhe vlerësimin pozitiv në progres raportin e KE për vitin e kaluar.
“Në sajë të punës së përditshme, sakrificës dhe profesionalizmit tuaj të lartë, sot Shqipëria është një vend i sigurt dhe krejtësisht i patrullueshëm dhe i kontrollueshëm në të gjithë territorin e vet. Në këtë vit, i cili përkoi edhe me 100 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, rezultatet e arritura në luftën kundër krimit, korrupsionit, pastrimit të parave, sekuestrimin e aseteve kriminale, janë bilanci më  i mirë, me të cilin ju prezantoheni sot. Një ndër objektivat kryesorë të Qeverisë, ka qenë dhe mbetet lufta pa kompromis, me tolerancë zero, kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Askush nuk dyshon se vullneti i hekurt në luftën ndaj krimit, është dhe mbetet faktor kryesor për të arritur suksesin kundër tij, si edhe në thellimin e reformave. Të gjithë këta elementë janë thelbësorë për realizimin e objektivave në punën tuaj. Kjo betejë e pandalshme, si një ndër pikat kryesore të programit të qeverisë, është dhe do të mbetet prioritet absolut në rrugën tonë për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një vend më të sigurt dhe një jetë sa më cilësore në komunitetin ku jetojnë”- shpreh z. Noka.
Në vijim të fjalës së tij ministri i Brendshëm, u ndal në disa drejtime të punës së policisë, duke theksuar se objektiv madhor mbetet thellimi i gjithanshëm i rezultateve të deritanishme. Në mënyrë të veçantë z. Noka u ndal tek procesi zgjedhor: “Përpara kemi një vit zgjedhor, i cili, paralelisht me detyrat tuaja të përditshme, kërkon impenjimin dhe angazhimin tuaj të plotë edhe në këtë drejtim. Policia e Shtetit pas vitit 2005 ka një eksperiencë të shkëlqyer në menaxhimin e proceseve zgjedhore. Nga zgjedhjet vendore të vitit 2007 e në vijim, ju keni marrë vlerësimin maksimal nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe opinioni publik për zbatimin e kuadrit ligjor dhe respektimin e plotë të rolit tuaj në proceset zgjedhore. Në vijueshmëri të kësaj tradite të shkëlqyer,  ju do të demonstroni qartësisht që edhe në zgjedhjet e 23 qershorit, do të zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin. Në këtë angazhim të rëndësishëm do të keni në çdo drejtim suportin e plotë të Qeverisë shqiptare. Ju duhet dhe do të përmbushni sërish detyrat që ju përcakton Kodi Zgjedhor, me profesionalizëm dhe paanshmëri të plotë, duke mos u ndikuar aspak në kryerjen e detyrës tuaj, nga sulmet, tendencat intimiduese, apo përçartjet haluçinative politike, pavarësisht nga vijnë ato”- deklaroi ministri i Brendshëm, Flamur Noka.
 
Kryeprokurori Llalla
Prokurori i Përgjithshëm, Z. Adriatik Llalla, duke evidentuar sfidat dhe rrezikshmërinë me të cilën përballen forcat e policisë, theksoi rëndësishnë e mbështetjes nga të gjitha institucionet e tjera ligjzbatuese. “Forcat e policisë janë të parat që përballen me krimin, në të gjitha format e tij dhe kjo është një sfidë e përditshme, e cila kërkon vendosmëri dhe zbatim rigoroz të ligjit. Jemi të gjithë të bindur se Ju përballoni sfida të rëndësishme, shpesh me rrezikshmëri të lartë për jetën tuaj, të qytetarëve dhe të interesave të ligjshme të shtetasve. Pikërisht kjo puna juaj duhet të gjejë mbështetje nga të gjithë institucionet e tjera ligjzbatuese”- tha ai.
Duke e vlerësuar Policinë e Shtetit si partnerin prioritar në realizimin e qëllimit madhor, luftën kundër kriminalitetit, Prokurori i Përgjithshëm evidentoi dhe sukseset e arritura në kuadër të këtij bashkëpunimi. “Prokuroria e Përgjithshme e ka prioritet ndër prioritetet bashkëpunimin me Policinë e shtetit. Vetëm falë koordinimit të shpejtë dhe të shpeshtë do të jemi të suksesshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dy institucionet tona janë në qendër të vëmendjes së opinionit për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Pra qytetarët presin që Policia e Shtetit dhe Prokuroria të ruajnë dhe forcojnë veprimin mes tyre. Viti 2012, në opinionin tim, ka pasur histori të rëndësishme suksesi në këtë drejtim. Falë bashkëpunimit është arritur që të zbulohen dhe të vendosen para përgjegjësisë ligjore persona me precedentë penalë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjithashtu, së bashku kemi arritur të konfiskojmë pasuri në miliona euro, të prejardhura nga aktivitete kriminale dhe trafiqe të paligjshme. Edhe në fillimin e viti 2013 ka pasur raste të suksesshme të bashkëpunimit dhe shpreh bindjen se kjo frymë mirëkuptimi dhe koordinimi do të vijojë dhe në periudhën në vijim” – theksoi kryeprokurori i Republikës, Adriatik Llalla.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›