E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko&Gjinushi, dyshja e çuditshme e ngarkuar për të sulmuar Evropën

02-02-2013 / Gazeta 55

Partia Socialiste injoron sërish apelin e ndërkombëtarëve, për 3 ligjet e kërkuara nga BE. Dy ditë përpara vizitës së komisionerit Fyle në Tiranë, është Pandeli Majko ai i cili deklaron se PS nuk do të ndryshojë qëndrim në lidhje me tre ligjet. Sipas tij, mbërritja në Shqipëri e zyrtarit të lartë të Brukselit, nuk do ta bëjë Partinë Socialiste të ketë një tjetër qëndrim në lidhje me këto tre ligje, miratimi i të cilave, thotë Majko, është i lidhur me çështjen e qarkut të Fierit. “Besoj që qëndrimet tona janë shprehur. Nuk ka asnjë kosto elektorale në këtë histori, që ka filluar nga mazhoranca. Nëse sot kryetari ilegal i qarkut Fier del në konferencë për shtyp dhe jep dorëheqjen nga posti, atëherë procesi është i zhbllokuar”, deklaroi Majko. Sikurse kuptohet dhe lexohet qartë, opozita nuk ka ndërmend t’i rikthehet konstruktivitetit politik për çështje imediate dhe të domosdoshme për të ardhmen europiane të vendit. Kjo e konfirmuar disa herë nga Edi Rama dhe e postuar vazhdimisht nga skifterët e ngrehinës socialiste, të ushqyer nga propaganda mediatike si të ishte integrimi i Shqipërisë interes i armiqve më të urryer të kombit. Gjithsesi pozitat bllokuese të PS mbetet të palëkundura, pavarësisht vizitës së Stefan Fyle. Nga qëndrimet bllokuese dhe penalizuese për Shqipërinë, s’mbetet pas as ai që rëndom njihet si “ideologu i konflikteve politike”, Skënder Gjinushi. Kreu i PSD, në rolin e një paterice të sakatit politik të opozitës, thotë se PS s’duhet japë asnjë kompromis për 3 ligjet, pa u bërë ndarja e re e mandateve në 12 zonat zgjedhore. Pas pretendimeve me qarkun e Fierit, në skenë shfaqet papritur ngërçi i radhës, siç duket i mirë menduar, në një kohë kur ishte vetë opozita ajo që rrëzoi aktin në KQZ, i cili parashikonte ndarjen e re të mandateve të deputetëve, sipas lëvizjeve demografike të popullsisë. Për Gjinushin, vota e PD-LSI dy ditë më parë në parlament, është përpjekje për t’i fituar zgjedhjet në tavolinë (!). “Opozita nuk mund të njohë asnjë rezultat që nuk llogaritet në ndarjen e re të mandateve. Prandaj ne i kërkojmë publikisht dhe misionit të OSBE-së në Tiranë për të kuptuar përfundimisht se kush është misioni i tyre këtu, të shprehen qartazi për këto tentativa të kësaj shumice. Kjo ndarje mandatesh i vlen vetëm Saliut dhe Jozefinës sepse vendimi i Kuvendit është nul, vendimi i Kuvendit nuk ka asnjë efekt mbi të tretë, se nuk është zbatim të Kodit dhe opozita nuk njeh asnjë rezultat që nuk bazohet mbi llogaritjen e re të mandateve”- tha Gjinushi. Duke u ndalur në tre ligjet e integrimit, Gjinushi tha se marrja e kompetencave të KQZ-së nga Parlamenti tregon se ligjet në letër janë të papërfillshme nga kjo mazhorancë. “Veprimi i djeshëm tregon qartazi se sa qesharake janë thirrjet, se gjoja Shqipëria është tre projektligje larg Europës, në një kohë kur në Shqipëri, nga kjo shumicë nuk zbatohet as Kodi, as ligji, as Kushtetuta, as vendimet e Gjykatave. Kjo tregon qartë se sa absurde janë të ashtuquajturat thirrje për kompromis apo konsensus, kur baza e çdo kompromisi në demokraci është zbatimi rigoroz dhe korrekt i ligjit- deklaroi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›