E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Koha për Veprim” është koha për largimin e Sali Berishës

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidati për deputet në qarkun e Tiranës, Roland Çelmeta, zhvilloi dje një takim me banorë të komunës Farkë. Gjatë këtij takim Meta prezantoi Planin për Veprim të LSI-së. Kryetari i LSI-së shprehu bindjen e tij, se kandidatët e LSI-së do të jenë fitues, sepse përfaqësojnë vlerat më të mira dhe janë të lidhur ngushtë me komunitetin e kësaj zone. Meta u shpreh se “‘Koha për Veprim’, për Sali Berishën është ‘Koha për Largim’”. “Ka ardhur Koha për Veprim për të nxjerrë shqiptarët nga kriza dhe nga varfëria, ku t’i i fute akoma më thellë, për të nxjerrë Shqipërinë nga korrupsioni dhe Gërdec-qeverisja, që t’i solle gjatë këtyre 4 viteve dhe për të zhvilluar ekonominë”, u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së theksoi se, “Plani për Veprim” i LSI synon të ofrojë perspektiva të reja për të gjithë shqiptarët, një dinamikë krejt ndryshe nga ajo aktualja për ndryshimin e vendit, e cila nuk mund të vijë përmes fjalëve, deklaratave, përmes fjalimeve, por vetëm përmes Kohës për Veprim. “Ndaj dhe Plani ynë për Veprim fillon pikërisht me punësimin dhe jo më kot ne e theksojmë çështjen e punësimit si çështjen themelore që ka sot vendi, që kanë sot shqiptarët dhe mbi të cilën do të ndërtohen të gjitha politikat shtetërore, qeverisëse, fiskale dhe arsimore. Sepse shqiptarët do të kenë mirëqenie vetëm duke u bazuar tek puna dhe tek djersa e tyre, vetëm në këtë mënyrë do të kemi rritje të prodhimit, do të kemi edhe rritje të ekonomisë dhe produkteve tona”, tha Meta. Duke prezantuar pika të veçanta të programit qeverisës të LSI-së, Ilir Meta tha se programi i LSI-së synon krijimin e një sistemi të plotë agraro-industrial. “Ky program për bujqësinë do të bëjë të mundur që çdo gjë të funksionojë në mënyrë perfekte, që mos të ketë asnjë pengesë, asnjë ndërprerje, pasi ne do të subvencionojmë nga 25-50 të imputeve në bujqësi, do të subvencionojmë prodhimin deri në masën 30 për qind e njëkohësisht do të garantojmë krijimin e një industrie agro-përpunuese që është një problem i madh sot në vend kur këto prodhime do të grumbullohen, por edhe do të përpunohen”, tha Meta. Duke folur për punësimin, kreu i LSI-së u shpreh se ai mbetet prioriteti numër një i këtij programi. “Punësimi është çështja më e madhe që kanë të gjithë shqiptarët sot”. “Në këtë drejtim ne kemi një politikë shumë konkrete. Ne do të mbështesim biznesin fason, biznesin për prodhimin e veshjeve, konfeksioneve me material porositës. Ky është biznesi që ka numrin më të madh të punëtorëve në Shqipëri, 100 mijë dhe janë kryesisht gra dhe vajza. Eshtë biznesi që përfaqëson numrin më të madh të eksporteve drejt BE-së, gati 800 milionë euro dhe ta lësh në mëshirë të fatit do të thotë të lësh dhjetëra mijëra njerëz pa punë. Para dy javësh 11 mijë gra dhe vajza dolën nga puna, sepse 50 ndërmarrje mbyllën aktivitetin e tyre”, tha Meta. Duke u ndalur tek kostoja e jetesës që është një nga problemet më të mëdha të shqiptarëve, sidomos për familjet me të ardhura më të pakta, Meta premtoi tatim 0 mbi të ardhurat për pagat deri 250 mijë lekë të vjetra. Ndërsa kandidati i LSI-së për deputet Roland Çelmeta, duke besuar dhe shprehur optimizmin e tij për fitoren e LSI-së, u shpreh se “vota për LSI-në, është votë për Shqipërinë”. a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›