E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndarje e prerë nga e shkuara”

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nga Fushë-Kruja i kërkoi kryeministrit Berisha të shkojë në vendlindjen e Bajram Currit. “Dikush më sugjeroi rrugës kur po vija që t’i them Sali Berishës se plakur jemi; ne të gjithë bashkë tek Skënderbeu, po zotrote kur do të shkosh te Bajram Curri?”, tha Rama para qindra pjesëmarrësve në mitingun e Fushë-Krujës. “Figurat e mëdha të historisë: Skënderbeu, Ismail Qemali, Bajram Curri, Fan Noli, të gjithë ata, që e kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe që janë një arsye për t’u krenuar, janë njëkohësisht një arsye për t’u bashkuar, që të gjithë, nën të njëjtin flamur, për të njëjtat ideale që nuk vjetrohen kurrë dhe me ide të reja, drejt një Evrope që është një ëndërr e vjetër shqiptare, por që nuk mund të jetë më ëndërr për fëmijët e këtij vendi, për fëmijët e socialistëve dhe për fëmijët e demokratëve”, tha Rama. Kreu socialist i bëri apel qytetarëve të Krujës dhe Fushë-Krujës të votojnë Partinë Socialiste për ndryshimin e madh. “Unë ua kërkoj votën për të bërë një ndarje të prerë, një ndarje radikale, një ndarje përfundimtare me të shkuarën dhe me politikën e së shkuarës”, tha Rama. Sipas tij, kryeministri Berisha kërkon votën që të ruajë bizneset e tij. “Sali Berisha ua kërkon votën e vetme që keni, për të vetmen arsye, se ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë djathtas në pushtet, apo majtas në opozitën e opozitës ua kërkojnë të vetmen votë për të nxjerrë një gjysmë deputeti, që më pas ta nxjerrë mandatin e marrë nga ju në pazarin e vjetër të politikës së numrave dhe të interesave personale, për ta mbajtur edhe 4 vjet të tjera peng qeverinë tuaj, njësoj siç e kemi parë të jetë peng i lloj-lloj kryeministrash, i lloj-lloj ministrash, i lloj-lloj interesash që s’kanë të bëjnë me interesat tuaja, me interesat e familjeve tuaja, me interesat e vendit tuaj”, tha Rama. Ndërkaq kreu socialist ka prezantuar kandidatët e qarkut të Durrësit, që përfaqësojnë dhe Krujën dhe Fushë-Krujën.
Rrëshen
Në qytetin e Rrëshenit, kryetari socialist i ka kërkuar votën banorëve që kishin mbushur mesditën e djeshme sheshin “Abat Doçi”. Kreu socialist është njohur më parë nga strukturat lokale mbi situatën shumë të rëndë në lidhje me pajisjen me karta identiteti të shtetasve pa pasaportë, duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. “Edhe 20 ditë për t’u ndarë nga politika e vjetër e së shkuarës. Edhe 20 ditë për të ndërtuar së bashku politikën e re me njerëzit dhe për njerëzit. Edhe 20 ditë për të shkuar së bashku përtej së majtës e së djathtës, për një shtet për të gjithë shqiptarët, për një shtet që u jep ujë, drita, punë, rend që të gjithëve. Një rend që mbron pasuritë tona të përbashkëta dhe pronat e dinjitetin e gjithsecilit. Politika e vjetër mbaroi, një politikë e re për njerëzit do të hapë një faqe të re të historisë tonë të përbashkët”, tha Rama. Sipas tij, duhet një politikë e re për arsimin, në mënyrë që të mos ketë dallime mes fëmijëve të socialistëve apo demokra-tëve. Rama u kërkoi qytetarëve të Mirditës të votojnë për Partinë Socialiste, si forcën e ndryshimit dhe që do të marrë në duar fatet e vendit më 29 qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›