E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqet kryebashkiaku i Roskovecit, kërkon votëbesim

09/06/2009  Pas largimit të prefektit Shahin Bejdaj

FIER- Kreu i Bashkisë Roskovec, Ylli Kola, është rishfaqur në qytezën e Roskovecit pas 11 muajsh mungesë që ai ka bërë në krye të këtij institucioni. Rreth dy muaj më parë ish prefekti i qarkut Fier Shahin Bejdaj shkoi në bashkinë e kësaj qyteze dhe mblodhi Këshillin Bashkiak për mocion votëbesimi të kryebashkiakut Ylli Kola, pasi ky kishte rreth tetë muaj që ishte larguar për në Amerikë dhe nuk ishte kthyer më që andej. Në këtë votëbesim këshilltarët socialistë nuk qenë dakord me shkarkimin e kryebashkiakut Kola. Ish prefekti i qarkut Fier Bejdaj në anë juridike përpiloi një shkresë zyrtare ku ka vënë në dijeni Kryeministrin Sali Berisha dhe kërkonte që në bazë të ligjit të kryente shkarkimin Kolës gjë që pritet të kryhet. Sipas Bejdajt, një kryebashkiak mund të mungojë deri në tre muaj duke marrë leje ose për arsye shëndetësore. Tashmë që ende pa u mbushur një javë nga ndërrimi i prefektëve në qarkun Fier ku Bejdaj për shkak të kandidimit për deputet me PAA-në, vendin e tij e zuri Rauf Troka, i cili më parë ka pasur postin e nënprefektit të Kuçovës. Pas afro 11 muaj mungese kryebashkiaku i Roskovecit Ylli Kola ka mbërritur në Roskovec dhe ka mbledhur Këshillin Bashkiak ku ka kërkuar votëbesimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›