E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Konsensus për imunitetin

Këtë apel Meta e bëri në hapjen e Kampingut të Lëvizjes Rinore për Integrim në Jalë, ku po pushojnë 600 të rinj nga LRI-ja e qarkut të Fierit.

Duke vlerësuar kontributin që ka dhënë LSI-ja, si në kuadër të liberalizimit të vizave dhe ruajtjes të stabilitetit politik, Meta theksoi: “Ne kemi bërë gjithçka që mund të bëjë një forcë e përgjegjshme për të nxitur reformat dhe konsensusin që i përshpejton ato në vendin tonë. Ndaj, ne gjejmë rastin përsëri t'i ftojmë aktorët politikë, të mos e shpërdorojnë kohën, që është tepër e çmuar në ditët që po kalojnë, në javët që po vinë për t'i dhënë Shqipërisë statusin për 100 vjetorin e pavarësisë dhe te krijimit të shtetit tonë”.

Më pas duke folur për situatën më të fundit politike që është heqja e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë, Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehu dhe njëherë vullnetin e forcës që ai drejton për zgjidhjen në mënyrë përfundimtare të kësaj çështje, e cila mund të zgjidhet edhe me referendum, por sipas tij është më mirë dhe më efikase që ajo të zgjidhet me konsensus mes palëve.

“Ne kemi qenë prej vitesh për heqjen e imunitetit për politikanët dhe për të gjithë zyrtarët e lartë që ata të barazohen më të gjithë qytetarët e tjerë. Ndaj ne e gjejmë rastin përsëri të theksojmë se kjo është e domosdoshme, kjo është një kërkesë  jo vetëm e partnerëve ndërkombëtarë, por edhe qytetarëve shqiptarë, për të cilën ata mund të shprehen edhe me referendum, por rruga më e mirë, më e shpejtë, më efikase është që të realizohet përmes një konsensusi parlamentar gjat 2-3 javëve të ardhshme", tha Meta./Start/

                                                                                             2012-08-26 17:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›