E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, gjendet i vrarë me një plumb 38-vjeçari



SHKODER - Gjendet i vrarë 50 metër larg shtëpisë një 38-vjeçar. Trupi i pajetë i Dashamir Cerjanit, pranë të cilit ndodhej një pistoletë, u zbulua mbrëmjen e djeshme, në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Policia e qarkut mbërriti në vendngjarje menjëherë pas njoftimit, duke hetuar mbi rrethanat e vdekjes së Cerjanit. Për shkak të kushteve të errësirës ka qenë e vështirë kryerja e veprimeve hetimore. Dyshohet se viktima është ekzekutuar e më pas trupi i tij është hedhur në distancë të afërt nga shtëpia e tij, po në Bërdicë. Emri i 38-vjeçarit rezulton i njohur për policinë vite më parë, pasi ai ka qenë i dyshuar për një vrasje të ndodhur në vitin 1998. Por, pas nisjes së hetimit dhe procesit gjyqësor, Cerjani u la i lirë, duke rezultuar i pafajshëm për ngjarjen. Megjithë precedentin e mëparshëm, fillimisht u ngrit dhe pista e vetëvrasjes, për shkak të pranisë së armës së zjarrit pranë trupit të viktimës. Ekspertë të policisë kanë punuar për të gjetur numrin e plumbave që i shkaktuan vdekjen Cerjanit, si dhe për të zbardhur nëse ato janë qëlluar nga e njëjta armë që u bllokua në vend. Pak para mesnatë u konfirmua fakti se viktima ishte qëlluar me një plumb në kokë. Këqyrja e imtësishme e vendit të ngjarjes është shtyrë për në orët e para të ditës së sotme, me zbardhjen e ditës. Vetëm disa orë më parë një tjetër krim tronditi Shkodrën, pasi nënë e bijë u qëlluan me armë zjarri nga kryefamiljari. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›