Meta: Kutitë nuk hapen, zgjedhjet e reja më 2013

TIRANË- Megjithëse opozita ka vendosur ndërprerjen e bojkotit gjashtëmujor, duke depozituar në Kuvend edhe dy projektligje për hapjen e kutive të votimit si një nga mënyrat kryesore për zgjidhjen e krizës politike, mazhoranca vazhdon të mbajë një qëndrim refuzues ndaj kësaj kërkese.
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta theksoi dje se propozimet e Partisë Socialiste do të shqyrtohen nga përfaqësuesit e mazhorancës, por e gjitha kjo procedurë sipas tij, do të kryhet në përputhje me vendimet e gjykatave dhe Kushtetutës, që sipas mazhorancës presupozon mos-hapjen e kutive të votimit përmes komisionit hetimor parlamentar.
"Futja e deputetëve të PS-së në Kuvend brenda afatit kushtetues është një element shumë pozitiv dhe njëkohësisht besoj që edhe propozimet e tyre do të shqyrtohen sipas të gjitha procedurave të Parlamentit në mënyrë që ky komision hetimor parlamentar të ngrihet dhe të realizojë ato objektiva të cilat janë kërkuar, natyrisht, duke respektuar pavarësinë e gjykatave", - tha dje Meta.
Sipas numrit dy të qeverisë, është në interes të opozitës që mos kërkojë hapjen e kutive të votimit, pasi kjo do të rezultonte me nënshtrimin e pushtetit gjyqësor nga ana e pushtetit politik. Kreu i diplomacisë shqiptare vuri në dukje gjithashtu se nuk është normale që të refuzohet Komisioni i Venecias për shqyrtimin e krizës politike, pasi sipas tij ky organ ka vepruar edhe për krizat e mëparshme politike. Mospranimi i këtij organi këshillimor sipas Metës, tregon nga ana e opozitës dhe liderit të saj një mosvullent politik për zgjidhjen e ngërçit politik.
"Ndërkohë që ju përballeni me një retorikë të panevojshme kundër Komisionit të Venecias, sepse të thuash që ne mirëpresim propozimin e ndërkombëtarëve dhe kontributin e tyre konkret që mund të japin për zgjidhjen e krizës, dhe në të njëjtën kohë të mos pranosh mendimin e Komisionit të Venecias, do të thotë që të jesh kontradiktor dhe jo i sinqertë për të gjetur një zgjidhje sa më demokratike dhe sa më institucionale dhe sa më kushtetuese për këtë situatë",- u shpreh ai.
Komisioni i Venecias është parë nga opozita si një nga mundësitë për shqyrtimin dhe asistimin në zgjidhjen e krizës, por me dorëzimin së fundi të projektligjeve për hapjen e kutive të votimit, përgjigja konkrete po pritet nga salla e Parlamentit, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës i kanë kërkuar Këshillit të Evropës t'i drejtohet Komisionit të Venecias për të krijuar një panoramë më të qartë të krizës politike. I pyetur për krijimin e një qeverie teknike që mund të nxirrte vendin nga kriza politike dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, zëvendëskryeministri Meta u përgjigj se ndryshimet kushtetuese e bëjnë të pamundur realizimin e një kërkesë të tillë.
Për më tepër, sipas tij, mazhoranca aktuale është e qëndrueshme dhe zgjedhje të reja do të ketë vetëm në vitin 2013, që është edhe periudha e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
"Është dhjetë herë më i vështirë sesa ka qenë përpara dy-tre vitesh, kjo për shkak të ndryshimeve kushtetuese. Kështu që zgjedhjet e reja janë vetëm në qershor të 2013-ës dhe të gjithë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për këtë sfidë në kohën e duhur, sepse kush fillon para kohe lodhet më shpejt, ndaj të gjithë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2013",- nënvizoi Meta.
Ndërkohë që opozita e ka bërë të qartë se nuk do të rikthehet në Parlament, pa hapjen e kutive të votimit, sipas Metës, ndërmarrja e një aksioni politik nga ana e opozitës për interesa afatshkurtra, që do të prekte Kushtetutën dhe të minonte pavarësinë e gjykatave do të rezultonte me pasoja afatgjata për vendin dhe politikën shqiptare.